Lidhje

Shpimet për gaz dhe ndotja


Përdorimi në rritje i shpimit horizontal dhe thyerjes së shkëmbinjve me anë të presionit të ujit – që njihet edhe si thyerja hidraulike – për nxjerrjen e gazit natyror dhe naftës në Shtetet e Bashkuara, ka rritur në mënyrë dramatike furnizimin e vendit me energji, por edhe ka shtuar shqetësimet për ndotjen e ujit. Kompani private po eksplorojnë tani një treg relativisht të ri për riciklimin e ujit në zonat e shpimit.

Kjo makinë, e krijuar nga kompania OriginOil, po heq llumin nga uji i marrë në një zonë shpimi për naftë. Pastrimi bëhet me një proces që fillimisht u krijua për nxjerrjen e algave, thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë Riggs Eckelberry.

"Nafta nuk është gjë tjetër veçse alga të vjetra, prandaj ajo që ne po bëjmë, në thelb, është heqja e papastërtive, duke lënë ujin e pastër."

Kompania OriginOil ka përdorur pajisjet e saj demonstrative, në shtetin e Kalifornisë, për të nxjerrë naftë nga uji i përdorur një herë në procesin e shpimit.

"Ata na dhanë ujin, duke menduar se ishte i pastër, por ne nxorëm graso prej tij dhe ata parashikuan fitime të mundshme."

Administratori i përgjithshëm i OriginOil, Bill Charneski thotë se edhe një përqindje e vogël nafte e nxjerrë nga operacionet e shpimit mund të jetë e vlefshme.

"Nëse është prodhuar ujë që përmban naftë, atëherë ka vlerë të konsiderueshme, sepse thjesht mund të hidhet përsëri në tubacionin që shkon në rafineri."

Uji i dalë nga depozitat e thella të tokës prej procesit të shpimit përmban naftë dhe gaz, por në procesin e thyerjes hidraulike përdoren gjithashtu tonelata ujë të përzier me rërë dhe kimikate.

Në Universitetin Rice, kimisti Andrew Barron, i cili studion çështjen e ujit, thotë se tani ka shumë kompani që ofrojnë trajtim të ujit në zonat e shpimit duke përdorur metoda të ndryshme, në varësi të kushteve lokale.

"Mendoj se ajo që do të shohim është përdorimi i teknologjive të veçanta brenda rajoneve të ndryshme, por në përgjithësi për Shtetet e Bashkuara do të kemi një numër të caktuar teknologjish që do të aplikohen."

Protestat kundër thyerjes hidraulike të shkëmbinjve janë rritur për shkak të shqetësimeve mbi ndotjen e ujit. Por zoti Barron po përpiqet ta zgjidhë këtë çështje duke zhvilluar gjurmues që mund të identifikojnë ujin para operacionit.

"Ideja është që këta gjurmues të përfshihen në operacionet e thyerjes hidraulike dhe në qoftë se ka ndotje të ujit nga diku tjetër, mund të gjehet burimi i kësaj ndotjeje."

Megjithëse kjo procedurë nuk mund t’u përgjigjet të gjitha shqetësimeve për mjedisin, zoti Barron mendon se ajo do të ofrojë të dhëna më të mira për të gjithë të interesuarit.
XS
SM
MD
LG