Lidhje

Vazhdojnë hetimet për sulmin në Bengazi


Në Kongresin amerikan po mbahet një seancë dëgjimore lidhur me sulmin vdekjeprurës të vitit të kaluar ndaj misionit diplomatik amerikan në Bengazi të Libisë. Njëri prej tre zyrtarëve që pritet flasin para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët, është Gregory Hicks, ish-zëvendës-shef i misionit në Libi. Zoti Hicks i ka thënë hetuesve se ai ka vënë në pikëpyetje përse forcat ushtarake amerikane nuk u dërguan në konsullatë menjëherë pasi ndodhi sulmi, më 11 shtator të vitti 2012.

Republikanët në Kongres e kanë akuzuar administratën Obama se e ka ç’orjentuar qëllimisht publikun lidhur me hollësitë e sulmit. Shumica e kritikave i drejtohen ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton. Por demokratët thonë se hetimet janë një përpjekje me motive politike për diskreditimin e zonjës Clinton, e cila është përmendur si një kandidate e mundshme e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në fjalën e tij hapëse në seancë, Kryetari i Komisionit, Kongresmeni Darrell Issa, tha se zyrtarë të rëndësishëm të administratës Obama nuk kanë pranuar t’u përgjigjen pyetjeve të panelit lidhur me sulmin. Demokrati kryesor në panel, Kongresmeni Elijah Cummings, i akuzoi republikanët për politizimin e hetimit. Një hetim i pavarur gjeti mungesa menaxhimi nga Deparatmenti i Shtetit, që çuan në dështimin e sistemit të sigurisë në Benghazi, që çoi në vdekjen e ambasadorit amerikan Christopher Stevens dhe tre dioplomatëve të tjerë amerikanë.
XS
SM
MD
LG