Lidhje

SHBA dhe Rusia, marrëdhënie të ndërlikuara


US _ RUSSIA FLAGS
US _ RUSSIA FLAGS

Analistët: Mosmarrëveshjet e mëparshme pengojnë përpjekjet amerikano-ruse për të ndihmuar Sirinë

Ekspertë të diplomacisë publike thonë se një ndryshim në perceptim, që e ka zanafillën nga epoka e Luftës së Ftohtë, mund t’i pengojë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në trajtimin e luftës civile në Siri.

Helle Dale, analiste në Fondacionin Heritage, thotë se mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ekziston një marrëdhënie e ndërlikuar “dashuri-urrejtje".

Në programin e Zërit të Amerikës “Encounter”, analistja Dale tha se është dakord me një zyrtar të adminsistratës Obama, që u shpreh se mosmarrëveshjet gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë mes dy vendeve janë duke i tendosur sot marrëdhëniet mes tyre.

"Zyrtari amerikan tha se ne punojmë, duke supozuar se Lufta e Ftohtë ka marrë fund. Ne këtu në Shtetet e Bashkuara kështu besojmë, por rusët sillen sikur kjo luftë ende vazhdon.”

Zonja Dale thotë se këto mosmarrëveshje të dallueshme janë duke ndikuar tek përpjekjet amerikano-ruse për organizimin e një konference paqeje për Sirinë në muajin qershor.

Të dyja palët janë dakord mbi nevojën për t’i sjellë rebelët sirianë dhe përfaqësuesit e Presidentit Bashar al Assad në tryezën e bisedimeve, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit që ka shkaktuar mbi 80 mijë të vrarë.

Por vendimi i Rusisë për t’i shitur raketa kundër anijeve qeverisë siriane ka shkaktuar kritika në Shtetet e Bashkuara.

Dale thotë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të tillë, që bashkëpunojnë kur kanë interesa të përbashkëta, por në të njëjtën kohë mbrojnë edhe interesat individuale.

“Eshtë një marrëdhënie shumë pragmatike, por jo doemos me dashuri.”

Andrew Kuchins i Qendrës për Studime Strategjike në Washington është dakord me këtë konstatim.

Ai thotë se që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, për Rusinë ka qenë e vështirë të mësohet me faktin e të qenit jo më një superfuqi, por një shtet më pak i fuqishëm.

"Në fund të Luftës së Ftohtë, kur Shtetet e Bashkuara dolën si shteti më i fuqishëm, Amerika kishte lirinë të bënte ç’të donte, kur të donte dhe kjo u pa konkretisht tek luftrat që erdhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 90, dhe natyrisht, edhe në Irak e gjetkë. Pikërisht kjo i mundon rusët.”

Zoti Kuchins thotë se ka edhe mosmarrëveshje të tjera që kanë shkaktuar tendosje në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ai thotë se Rusia e intrepreton Pranverën Arabe si një lloj lufte me Arabinë Saudite, Katarin dhe aleatët e tyre në njërën anë dhe me Iranin në anën tjetër, një pikëpamje që e ve Rusinë në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara.

"Stauskuoja në Lindjen e Mesme të madhe, siç shprehet Moska, është preferenca e tyre. Sipas zyrtarëve rusë, çdo ndryshim do të ishte në dëmin e tyre”.

Studjuesi Kuchins thotë po ashtu se nuk pret që Rusia të ndryshojë ndjeshëm qëndrimin e saj në mbështetjen e qeverisë siriane duke filluar tani e deri në konferencën e paqes që mund të mbahet në qershor.
Por Paul Pillar i Qendrës për Studime të Sigurisë në Universitetin Georgetown, thotë se ka arsye për optimizëm, kur është fjala për konferencën e paqes, ideja për mbajtjen e së cilës buroi nga bisedimet mes Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov.

“Unë mendoj se zhvillimi në Rusi, e kam fjalën për marrëveshjen që Sekretari Kerry arriti me rusët për mbajtjen e një konference, është një nga gjërat pozitive që kemi dëgjuar lidhur me Sirinë pas kaq kohësh.”

Por zoti Pillar thotë, se ai nuk mendon se konferenca, në se ajo do të mbahej, do t’i jepte një zgjidhje të menjëhershme konfliktit.
XS
SM
MD
LG