Lidhje

Delegacioni evropian mbi gjendjen parazgjedhore në Shqipëri


Delegacioni i Këshillit të Evropës në Shqipëri
Delegacioni i Këshillit të Evropës në Shqipëri

Çështja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve vazhdon të mbetet kryefjala e të gjithë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar

Në Shqipëri misioni i Këshillit të Europës, i cili përfundoi një vizitë dy ditore në Tiranë objektivi i së cilës ishte vlerësimi i situatës në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, tha se ato mund të rrezikoheshin për shkak të situatës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Ata u shprehën se gjatë takimeve në Tiranë kanë marrë shqetësime për trysnine e ushtruar ndaj punonjësve të administratës publike, për tentativa për blerje të votës si dhe detyrimin e mediave për të transmetuar materialet filmike të përgatitira nga partitë për fushatat e tyre zgjedhore.

Cështja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve vazhdon të mbetet kryefjala e të gjithë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, aq më tepër kur numërimi mbrapsht deri ditën e votimit ka filluar. Javën e shkuar ishte misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it të cilët theksuan se funksionimi i Komisionit vetëm me katër anëtarë “pengon aftësinë e tij për të administruar zgjedhjet në përputhje me ligjin”.

Mbrëmë shqetësimit për pasojat e krizës në KQZ iu bashkua edhe misioni i parlamentarëve të Këshillit të Europës i kryesuar nga italiani Luca Volonte, sipas të cilit delegacioni “shpreh keqardhjen e tij që kriza e KQZ-së nuk është zgjidhur akoma. Për aq kohë sa KQZ-ja konsiderohet si e paplotë, atëherë realizimi demokratik i zgjedhjeve mund të rrezikohet”.

I së nëjtës ide ishte dhe anëtari i delegacionit, deputeti grek Petros Tzatsopoulos: "Siç e kemi thënë edhe më parë, KQZ-ja është një problem shumë serioz. Mund të transformohet në një rrezik, me të vertetë një rrezik pasi KQZ-ja është aktori kryesor për rezultatin e këtyre zgjedhjeve”.

Zoti Tzatsopoulos tha se cështja e KQZ nuk mund të kthehet në një peng. Sipas tij “një Shqipëri demokratike e cila dëshmon veten si një vend me pjekuri të qenësishme, është një vend ku nuk mund të mendohet se poltikanët mund të bëjnë lojra kur vjen puna për rezultatin e zgjedhjeve. Veçanërisht kur rezultati është i ngushtë. Politikanët tuaj e kanë marrë atë mesazh dhe nëse bëjnë të tilla lojra do të rrezikojnë. E di që ka ndodhur në të shkuarën, por nuk dua të fajësoj asnjë apo t’i faturoj ndonjërit përgjegjësitë”, tha anëtari i asamblesë së Këshillit të Europës duke shtuar se kryeministri Berisha kishte garantuar se do të njihte rezultatin e zgjedhjeve cilido qoftë ai, ndërsa përfaqësuesit e opozitës nuk e kishin bërë një gjë të tillë, u shpreh zoti Tzatsopoulos.

Përfaqësuesit e Këshillit të Europës thanë se gjatë takimeve të shumta në dy ditët e vizitës në Tiranë atyre u ishin shprehur “shqetësime lidhur me disa pretendime për presion të ushtruar ndaj punonjësve të sektorit publik, për tentativat e shtuara për blerjen e votës, mosrespektimin e kuotave gjinore apo transparencën e ulët të financimit të partive. Po ashtu detyrimi për të transmetuar përmbledhje të fushatave zgjedhore të përgatitura nga palët që nuk i nënshtrohen redaktimit editorial shihet nga gazetarët si një kufizim i lirisë së shprehjes” tha zoti Volonte.

Kreu i delegacionit të Këshilit u shpreh se “Shqipërisë i nevojiten zgjedhjet e 23 qershorit për të plotësuar angazhimet e Këshillit të Europës, standartet e tij dhe njëkohësisht për të konfirmuar angazhimin real të Shqipërisë për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.

Një tjetër delegacion prej 27 anëtarësh të asamblesë së Këshillit të Europës do të vijë në Shqipëri për të ndjekur procesin e votimit. Përvec tyre do të ketë edhe një përfaqësi nga asambleja parlamentare e OSBE-së. Një delegacion më i vogël pritet nga parlamenti europian, ndërsa peshën kryesore do ta mbajnë vëzhguesit e ODIHR-it.
XS
SM
MD
LG