Lidhje

Mueller zotohet të marrë masa kundër Edward Snowden


Drejtori i FBI-së tha se është hapur një hetim kriminal lidhur me këtë çështje, për të cilën ai tha se ka dëmtuar sigurinë kombëtare të SHBA

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve në Shtetet e Bashkuara, Robert Mueller, u zotua se do të marrë masa të menjëhershme kundër ish-analistit të CIA-s, i cili pranoi se ka zbuluar dokumente sekrete që ekspozojnë disa programe sekrete survejimi të qeverisë amerikane.

Duke folur para ligjvënësve, zoti Mueller pohoi se është hapur një hetim kriminal lidhur me këtë çështje, për të cilën ai tha se ka dëmtuar sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Zoti Mueller nuk përmendi me emër ish-punonjësin e CIA-s Edward Snowden, i cili ndodhet aktualisht në Hong Kong, dhe ka thënë se do ta kundërshtojë çdo përpjekje për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Drejtori i FBI-si i doli në mbrojtje programeve qeveritare të përgjimit, duke thënë se ato janë të ligjshme dhe një mjet rëndësishëm për parandalimin e sulmeve terroriste. Ai tha se publikimi i tyre mund t’i bëjë terroristët të ndryshojnë taktikat e tyre, duke vështirësuar kapjen e tyre.

Kreu i Agjencisë amerikane të Sigurimit Kombëtar, Keith Alexander, tha se programet e zbatuara nga agjencia e tij kanë ndihmuar në zbulimin e qindra sulmeve terroriste. Ligjvënësit thonë se agjencia së shpejti do të japë hollësi për këtë çështje.
XS
SM
MD
LG