Lidhje

BE i ofron Kosovës MSA-në – Serbisë, anëtarësimin


Ministrat e jashtëm të BE-së japin dritën jeshile për negociatat për MSA-në me Kosovën dhe ato për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të fillojnë negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën, ndërsa në janar të vitit që po vjen negociatat për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Vendimi përfundimtar pritet të merret të enjten dhe të premten me takimin e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fuele tha se ky vendim pasoi “hapat e pashembullt që u ndërmorën në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Drita jeshile pasoi marrëveshjen e 19 prillit të këtij viti të arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Marrëveshja pritet të zbatohet deri në fund të këtij viti dhe ajo siguron një shkallë të lartë të autonomisë për komunat veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës njoftoi sot se është emëruar komandanti rajonal i policisë në veri. Në këtë post është emëruar Ivan Gjuriç, pjesëtar i policisë së Kosovës.

Po ashtu edhe zyrtarisht është pohuar se data 3 nëntor do të jetë datë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, që përfshinë edhe ato në komunat veriore ku detyrën e organizimit dhe mbikëqyrjes do ta ketë Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.
XS
SM
MD
LG