Lidhje

PS e PD në pozita të reja pas zgjedhjeve


Kqz
Kqz
Ndërkohë që KQZ vazhdon të mbyllë duke miratuar një nga një rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po hapin ngadalë faqet e reja të veprimtarisë së tyre në raport me pozicionet e reja që kanë marrë në parlament. Partia Socialiste shfrytëzoi një festë të themelimit të saj të vonuar enkas për pas zgjedhjeve për të shfaqur pikëpamjet mbi qeverisjen e saj dhe qasjet ndaj vështirësive që gjenden përpara në realitetin ekonomik e social të vendit.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pritet të bëhet kryeministër nga shtatori, tha se mandati i 23 qershorit është një mandat për të modernizuar Shqipërinë, që ajo të shihet me respekt në Europë dhe në Ballkan. “Një milionë shqiptarë na kanë dhënë mandatin e plotë për t’i udhëhequr në rrugën e rilindjes së vendit dhe për të ecur më shpejt drejt Shqipërisë Europiane. Ne e dimë mirë se ata nuk votuan për të ndryshuar thjesht qeverinë, po vendin ku jetojmë, jetën e tyre në këtë vend dhe vetë politikën e këtij vendi” - tha ai.

Zoti Rama tha se detyra e qeverisë së re është realizimi me përkushtim i premtimeve të 23 qershorit, por paralajmëroi të majtët se pritshmëria e njerëzve mund të jetë po aq e madhe sa edhe zgjënjimi. “Por kujdes. Ku që kemi marrë është një mandat sa i fortë numerikisht në sallën e Kuvendit, aq i brishtë politikisht përballë pritshmërisë së jashtëzakonshme të njerëzve. Njerëzit na kanë dhënë një fuqi të madhe për të qeverisur, por edhe na kanë ekspozuar përballë një rreziku që asnjë çast nuk duhet t’a harrojmë që e kemi aty, në çdo hap. Nëse ne do të harronim se kjo fuqi na është dhënë për vendin, jo për vete, atëherë dëmi që do t’i bënim Shqipërisë do të qe shumë i rëndë” - tha ai.

Ndërkaq në radhët e Partisë Demokratike të kthyer në opozita ka nisur menjëherë gara për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë, pas dorëheqjes së zotit Sali berisha.
Pas sekretarit të përgjithshëm, Ridvan Bode, dhe nënkryetares Jozefina Topalli, tashmë u shtua edhe nënkryetari tjetër Astrit Patozi, i cili deklaroi se nuk do të kandidojë për postin vakant të kryetarit, sepse ndjen përgjegjësinë e humbjes së 23 qershorit. Zoti Patozi tha se PD do të zgedhë shpejt një udhëheqësi të re serioze dhe me ambicje të mëdha.

Parlamenti hap sesionin e ri në shtator, ku shumicat kanë ndërruar vendet me diferenca të ngushta dhe deri atëherë qeveria aktuale vazhdon të kryeë për inerci disa detyra administrative, ndërsa ka pranuar humbjen në zgjedhjet, të cilat u vlerësuan nga vëzhguesit ndërkombëtarë si të lira e të drejta, se përparuan drejt standarteve demokratike, duke u bërë konkurruese dhe transparente.
XS
SM
MD
LG