Lidhje

Çfarë ndodh pas goditjes në zemër?


Pasi një person ka pësuar goditje në zemër ose në tru, mjekët zakonisht rekomandojnë ndryshime në stilin e jetës - si humbje peshe, ushtrime fizike ose ndalimin e duhanit. Një studim i ri vëzhgoi pacientë të tillë në mbarë botën për të parë nëse ata/ato ndiqnin këshillën e mjekëve të tyre.

Mesazhet për një jetë të shëndetshme janë thënë aq shumë, sa është e vështirë të imagjinohet se ka ndonjë që nuk i ka dëgjuar.

Dr. Patrice Desvigne Nickens punon në Institutin kombëtar të zemrës, gjakut dhe mushkërive, pjesë e Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë. Ajo thotë se sëmundja e zemrës është e parandalueshme dhe një jetesë e shëndetshme mund të zvogëlojë rreziqet.

Dr. Desvigne -Nickens thotë se ekzistojnë tre elementë kyç për një jetë të shëndetshme.

"Mos pini duhan, mbani peshë të rregullt, dhe kryeni ushtrime fizike."

Shpërfillja edhe e një prej këtyre faktorëve rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, përfshi goditje në zemër dhe infarkt; shkaktari numër një i vdekjeve në mbarë botën.

Studiuesi kanadez Koon Teo në Spitalin e Përgjithshëm Hamilton, në Ontario, donte të shikonte nëse njerëzit ndryshonin stilin e jetës pasi ishin prekur nga një sëmundje kardiovaskulare. Ai vëzhgoi pacientë nga vende me të ardhura të larta, të mesme dhe të ulëta.

"Njerëzit të cilët kanë pasur sëmundje zemre apo goditje në tru, rreth një e pesta e tyre, ende vazhdonin të pinin duhan; vetëm një e treta e tyre kryente aktivitete të rregullta fizike; dhe vetëm rreth dy të pestat e tyre hanin atë që është përcaktuar si një dietë e shëndetshme."

Dhe kjo pavarësisht se në çfarë vendi jetonin.

"Vendet me të ardhura të ulëta kanë ditetën më të keqe, por nëse shikoni njerëzit nga vendet me të ardhura të larta, ata nuk përdorin dietë shumë më të mirë."

Në përgjithësi, vetëm rreth katër për qind e pacientëve të cilët morën pjesë në studim ndiqnin këshillat e mjekut.

"Të gjitha vendet duhet t’i shqyrtojnë të dhënat e studimit dhe të përpiqen për t'i përmirësuar, veçanërisht për njerëzit të cilët tashmë kanë pësuar goditje në zemër ose në tru."

Përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për t'i bërë njerëzit të mbikqyrin tensionin e gjakut dhe për të reduktuar konsumin e kripës janë duke fituar vrull. Të dyja këto masa zvogëlojnë rrezikun për goditje në zemër ose në tru. Në SHBA, Janet Wright, e nismën MilionHearts jep këtë këshillë.

"Bëni një ndryshim të vogël për shëndetin tuaj dhe të bëjeni atë çdo ditë. duke shtuar një frut apo perime në dietën tuaj, ose duke u ushtruar fizikisht deri në 150 minuta çdo javë."


Klinika Cleveland ka një program për punonjësit e saj që i ka ndihmuar ata të bëjnë jetë të shëndetshme. Dr. Michael Roizen thotë se çelësi është që të fillohet duke blerë një pajisje që mat numrin e hapave dhe regjistroi ato çdo ditë. Mundohuni të ecni 10 mijë hapa në ditë.

Dhe në qoftë se merrni ilaçe për tensionin e lartë të gjakut, merrini ato siç përshkruhen.

"Çdo ditë një presion gjaku i pakontrolluar dëmton zemrën, veshkat, sytë dhe të gjitha enët e gjakut duke vënë individin në rrezik të lartë për goditje në zemër dhe infarkt."

Këta ekspertë theksojnë se fuqia për të parandaluar goditjet në zemër ose në tru është në duart tuaja.
XS
SM
MD
LG