Lidhje

Sekretari i Shtetit Kerry përsëri në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ndodhet në Jordani për bisedime me zyrtarë të Lidhjes Arabe lidhur me tensionet në rritje në Egjipt dhe përkeqësimin e kushteve në Siri. Sekretari Kerry ka në plan të takohet së pari me ministrin e Jashtëm jordanez, Nasser Judeh. Zyrtarët thonë se bisedimet do të përqendrohen kryesisht tek Egjipti, ku ditët e fundit ka patur përleshje vdekjeprurëse, pas largimit nga posti në fillim të muajit të ish-presidentit Mohamed Morsi. Sekretari i Shtetit shkoi përsëri në Lindjen e Mesme në përpjekje për ta bindur Izraelin dhe palestinezët që të kthehen në bisedimet e paqes lidhur me një zgjidhje me dy shtete. Bisedimet më të fundit dështuan në vitin 2010 për shkak të vazhdimit të ndërtimeve të vendbanimeve nga ana e Izraelit në tokën e pushtuar gjatë luftës së vitit 1967.

Sekretari Kerry kthehet në rajon pas bisedimeve të muajit të kaluar për të cilat ai tha se u arrit përparim i vërtetë. “Me pak më shumë punë” zoti Kerry beson se fillimi i bisedimeve mbi statusin final të konfliktit izraelito-palestinez “mund të arrihet”.
Kjo punë po bëhet me ndihmën e të ashtuquajturit Kuarteti i Lindjes së Mesme, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia.
Ja si u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov:
“Rusia është e interesuar në arritjen sa më parë të një zgjidhjeje dhe rifillimin e bisedimeve mes izraelitëve dhe palestinezëve”.

Kjo përpjekje bazohet në nismën për paqe të Lidhjes Arabe, që përfshin shkëmbimin e territoreve, në mënyrë që Izraeli të mund të mbajë disa vendbanime hebraike në Bregun Perëndimor:
Tzipi Livni është ministre izraelite e drejtësisë.
“Unë e shikoj rolin e komunitetit ndërkombëtar në kontekstin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme si shumë të rëndësishëm, madje me siguri që shpresoj se bisedimet e drejtpërdrejta mes dy palëve do të rifillojnë, por atmosfera dhe roli i kaluar ndërkombëtar janë gjithashtu shumë të rëndësishme për ne”.

Pranimi i një zgjidhjeje me dy shtete ka qënë përparësi për Presidentin Barack Obama.
Akbar Ahmed është profesor në “Universitetin Amerikan”
Në mandatin e dytë presidentët janë gjithnjë të guximshëm sepse ata mendojnë rreth trashëgimisë së tyre. Tani ai ka në ekipin e tij Sekretarin Kerry, një njeri i matur dhe me peshë, një njeri që e kupton rëndërsinë e arritjes së një marrëveshjeje mes izraelitëve dhe palestininezëve”.

Profesor Ahmed beson se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e kupton fare mirë se çfarë është në rrezik.
“Izraelitët duhet t’i shikojnë gjërat gjithnjë në një aspekt më të gjerë dhe në aspektin afat-gjatë. Në afatin e gjatë është në interesin e tyre, në interesin e tyre kombëtar që në rajon të ketë paqe dhe siguri”.

Përpjekja më e fundit për paqe bëhet ndërkohë që administrata e presidentit Obama po punon që të menaxhojë shpresat nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe, thotë ish ambasadori amerikan në Izrael, Daniel Kurtzer.
“Ky është një konflikt kronik që deri tani ka kaluar aftësitë e kujtdo për ta zgjidhur atë, por në të njëjtën kohë ka prekur interesat amerikane. Ne jemi pjesë e problemit, të paktën të parë nga sytë e njerzve të thjeshtë të botës arabe”.

Nëse Sekretari Kerry ka sukses në rifillimin e bisedimeve të paqes, zoti Kurtzer thotë se kjo do të ndihmonte në zgjerimin e objektivave të politikës së jashtme amerikane.
“Mendoj se një gjë e tillë do të pakësojë zemërimin në botën arabe. Madje do të na krijojë një farë hapësire për të bërë atë që duhet bërë lidhur me çështje të tjera të rëndësishme si Egjipti dhe Siria”.

Sekretari Kerry takohet të mërkurën me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Nasser Judeh si dhe me zyrtarë të Lidhjes Arabe për t’u njohur me përpjekjet më të fundit të paqes në Lindjen e Mesme dhe luftën në Siri.
XS
SM
MD
LG