Lidhje

Bie akuza për ndihmë të armikut ndaj Manning


Gjyqi ushtarak ndaj personit të akuzuar për publikimin e materialeve sekrete amerikane në Wikileaks e shpalli atë të pafajshëm ndaj akuzës se ka ndihmuar armikun përmes mjeteve jo të drejtpërdrejta, një akuzë për të cilën në se ai do të gjendej fajtor, mund të dënohej me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, gjykata në Fort Meade të Marylandit e gjeti fajtor Bradley Manning për disa akuza më të lehta, si vjedhja e pronës publike dhe ngarkimin në kompjuter në mënyrë të paligjshme, të informacioneve sekrete, për t’ia dhënë ato publikut. Dënimi për këto krime mund të arrijë deri në 100 vjet burg. Manning ishte duke shërbyer si analist në Irak, kur i dërgoi një numër të madh telegramesh diplomatike dhe raporte të tjera sekrete nga luftrat në Irak dhe Afganistan faqes së internetit Wikileaks.

Manning u ndesh me 21 akuza, përfshirë atë për spiunazh dhe mashtrime me kompjuter, lidhur me dorëzimin e rreth 700 mijë dokumenteve sekrete për Shtetet e Bashkuara, faqes kompjuterike Wikileaks. Manning tashmë ka pranuar fajësinë për disa nga akuzat më të lehta.
XS
SM
MD
LG