Lidhje

Beogradi shton trysninë mbi serbët për zgjedhjet në Kosovë


Zyrtarët e Serbisë thonë se me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët sigurojnë entitetin e parë të njohur ndërkombëtarisht në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç. u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet komunale të tre nëntorit, duke i siguruar ata se siç thuhet pjesëmarrja në zgjedhje nuk nënkupton njohje të Kosovës.

Ai citohet t’i ketë bërë këto komente sot gjatë një takimi në Beograd me përfaqësues të serbëve të Kosovës. Ai u ka thënë atyre se me pjesëmarrjen në zgjedhje, përgjegjësia do të kalojë tek shteti serb, ndërsa do të jenë përgjegjës nëse vendosin të bojkotojnë zgjedhjet.

Udhëheqësit e Serbisë kanë shtuar trysninë mbi serbët e Kosovës duke i nxitur ata që të marrin pjesë në zgjedhje, sepse, siç thuhet ky është interes shtetëror i Serbisë.



Shtimi i trysnisë pasoi deklarimin e përfaqësuesve të serbëve të komunave veriore të Kosovës, të cilët javën që lamë pas thanë se zgjedhjet për pushtetin komunal, janë të papranueshme dhe ata nuk duan ta marrin pjesë në to.

Kryeministri serb Ivica Daçiç edhe sot tha se pjesëmarrja në zgjedhje është në interesin e Serbisë por edhe të serbëve në Kosovë, sepse nga këto zgjedhje, përkatësisht nga Kuvendet komunale do të krijohet bashkësia e komunave serbe.

Në të kundërtën, bashkësia e komunave serbe, që do të jetë entiteti i parë serb i njohur ndërkombëtarisht në Kosovë dhe udhëheqësit e të cilit do të jenë përfaqësuesit e parë serb të njohur nga bashkësia ndërkombëtare, që deri tash janë cilësuar si struktura ta paligjshme, do të mund ta bëjë dikush tjetër”, tha ai, duke nënvizuar se në rast të tillë ajo bashkësi do të krijohej nga serbët që tashmë janë në qeverinë e Hashim Thaçit apo mund të krijohet edhe nga shqiptarët.

Ai mbrojti qëndrimin se askush nuk mund të ketë funksione shtetërore në institucionet e Serbisë e të veprojë në kundërshtim me politikën e saj shtetërore, prandaj Beogradi do të ndërrojë të emëruarit e tij në komunat veriore të Kosovës, nëse ata veprojnë në kundërshtim me politikën e tij.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Por, që në fillim janë hapur debatet nëse do të mund të nxiten serbët në veri të marrin pjesë apo jo në këto zgjedhje. Përfaqësues institucionesh dhe të shoqërisë civile në veri thonë se në atë zonë pos tjerash mbretëron edhe paqartësi, pas një periudhe të gjatë të trysnisë që është ushtruar nga Beogradi për mosintegrimin e tyre në institucionet e Kosovës.

Udhëheqësit serb u thanë sot serbëve të Kosovës se pjesëmarrja në zgjedhje nuk do të thotë njohje e pavarësisë së saj.

Nuk do t’i thërrisnim serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet komunale nëse ato nuk do të ishin të paanshme ndaj statusit”, tha kryeministri serb.

Në Prishtinë, autoritetet po u bëjnë thirrje serbëve të dalin në zgjedhje për të siguruar përfaqësimin e tyre të ligjshëm në institucione, ndërsa tërheqin vëmendjen se në marrëveshjen e 19 prillit thuhet se zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës.

Sido qoftë, hollësitë rreth zgjedhjeve pritet të jenë pjesë e takimit të radhës javën që po vjen ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve, të cilët do të debatojnë procesin e zbatimit të marrëveshjes që është kusht për përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG