Lidhje

Kërkime në Otranto


Rojet bregdetare italiane dhe ato shqiptare që prej natës së mbrëmshme kanë nisur kërkimet në kanalin e Otrantos, pas një sinjali për ndihmë të marrë nga një gomone ku dyshohet se gjenden 27 klandestinë. Kërkimet si nga deti ashtu nga ajri me helikopterë nuk kanë patur rezultat.

Sinjalizimi i parë është marrë nga autoritetet italiane, të cilat kanë angazhuar menjëherë mjetet e tyre lundruese si dhe helikopterë. Ndërkohë është njoftuar edhe pala shqiptare, e cila gjithashtu është vënë në lëvizje. Dy mjete të Rojeve bregdetare kanë nisur kërkimet në ujërat shqiptare. Gjatë ditës, në operacionet e kërkimit janë përfshirë edhe dy helikopterë dhe një anije ushtarake britanike, pjesë e trupave që po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta me forcat e ushtrisë shqiptare.
Sipas njoftimeve, personi që ka kërkuar ndihmë ka qenë shqiptar dhe ka njoftuar se ka pësuar një avari. Ai nuk ka dhënë koordinata gjë që ka vështirësuar kërkimet të cilat që prej mesditës po zhvillohen vetëm në ujërat italiane. Dyshohet se klandestinët mund të jenë kurdë ose nga vendet e Lindjes së mesme.
Gjatë muajve të verës së këtij viti janë disa qindra emigrantë nga vendet e Lindjes së mesme të përfshira në konflikte të armatosura të cilët janë përpjekur të shfrytëzojnë Shqipërinë për të mbërritur në shtetet e Bashkimit europian. Ata kanë udhëtuar përmes Greqisë, por janë ndaluar më pas nga policia shqiptare, në kufijtë jugorë të vendit.
XS
SM
MD
LG