Lidhje

Marrëveshja Kosovë – Serbi, kushtetuese


Gjykata Kushtetuese Kosovës pohon se ratifikimi i marrëveshjes me Serbinë është në pajtim më kushtetutën

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli sot se procedurat e ndjekura për miratimin e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të planit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Në një njoftim për opinion thuhet mes tjerash se Gjykata ka vendosur të refuzojë kërkesën e parashtruesve për shqyrtim të kushtetutshmërisë së Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshje si jashtë juridiksionit ratione materiae të Gjykatës Kushtetuese”.

Po sot Gjykata shpalli vendimin se procedura e ndjekur për miratimin e Ligji për Amnistinë, është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, duke përjashtuar disa nene të saj.

Po ashtu Gjykata e shpalli të papranueshme kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2013.

Të tria këto ligje ishin dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe ligjet që synojnë zbatimin e saj.

Ligji për amnistinë synon të krijojë kushte për integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veri, ndërsa ai për ndryshimet dhe plotësimet e buxhetit të Kosovës, krijimin e një fondi të posaçëm zhvillimor për komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG