Lidhje

SHBA: Kritika ndaj artikullit të Pres. Putin


Media sociale shpërtheu në kritika pasi presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje përmes një artikulli në gazetën New York Times popullit amerikan për të mbështetur politikën e tij për Sirinë.

Në një koment për gazetën, zoti Putin bën thirrje për kujdes ndaj çdo veprimi të njëanshëm kundër Sirisë, duke thënë se kjo do të minonte autoritetin e Kombeve të Bashkuara.

Udhëheqësi rus tha se është “alarmante” që ndërhyrja ushtarake në një vend të huaj, “në konflikte të brendshme” është bërë “normë” për Shtetet e Bashkuara. Zoti Putin përmendte konfliktet në Afganistan, Libi dhe Irak si shembuj.

Kryetari i Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë Robert Menendez tha se artikulli i zotit Putin e bëri të “vjellë”. Në një intervistë për CNN, Menendez tha se kishte pikëpyetje rreth seriozitetit të propozimit të Rusisë për Sirinë.

Në Twitter, senatori republikan John McCain e quajti artikullin e zotit Putin “një fyerje për inteligjencën e çdo amerikani”.

Artikulli i zotit Putin shkaktoi reagime të ashpra në mediat sociale.

Një banor i Pensilvanisë shkruante në Tweeter se cilido që i dha vend zotit Putin në gazetën New York Times duhet të pushohet nga puna pasi artikulli përmban “shumë gënjeshtra”.

Një banor i Londrës thotë se “leksioni” që zoti Putin i jep Shteteve të Bashkuara rreth ligjit ndërkombëtar dhe demokracisë është pasqyrim i “kohës surreale në të cilën jetojmë”.

Por një grua në Nju Jork tha se e vlerësonte që zoti Putin i foli drejtpërdrejt popullit amerikan. Ajo tha se presidenti rus i dha asaj një këndvështrim tjetër që nuk e kishte më parë.

Në artikullin e tij, Presidenti Putin paralajmëroi se një sulm ushtarak amerikan kundër Sirisë do të shtonte dhunën dhe do të nxiste një valë të re terrorizmi.

Komentet e tij u bënë ndërkohë që sekretari amerikan i shtetit John Kerry dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov takoheshin në Gjenevë për të diskutuar rreth planit të Moskës për kontrollin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë, që do të shmangte një goditje ushtarake amerikane.

Presidenti Barak Obama këtë javë shprehu mbështetje të matur për nismën diplomatike të Rusisë, por tha se ushtria amerikane do të jetë gati për t'u përgjigjur nëse diplomacia dështon.

SHBA ka qenë haptazi skeptike në lidhje me synimet e presidentit sirian Bashar al -Asad dhe aleatit të tij, Rusisë.

"Natyrisht, ne kemi një histori të gjatë dhe plot zigzage me rusët, prandaj po i mbajmë sytë hapur. Sekretari i Shtetit Kerry, kur foli me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov dy ditë më parë, e tha qartë se ne nuk do të lejojmë të luhen lojra," tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki.

Presidenti rus Vladimir Putin në shkrim e tij në New York Times i bënte thirrje Shteteve të Bashkuara dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar për të përfituar nga ajo që ai e quajti "gatishmëri e Sirisë për ta vendosur arsenalin e vet kimik nën kontrollin ndërkombëtar."

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara janë optimistë rreth bisedimeve amerikano -ruse në Gjenevë. Ja si shprehet zëdhënësi Farhan Haq:

"Sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon mirëpret fuqimisht fillimin e diskutimeve serioze ndërkombëtare që mund të çojnë në një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit për të siguruar dhe të shkatërruar armët kimike të Sirisë në mënyrë që të parandalohet përdorimi i tyre."

Presidenti Obama fajëson forcat siriane për një sulm vdekjeprurës kimik muajin e kaluar pranë Damaskut. Ai thotë se ishte kërcënimi ushtarak amerikan që e detyroi qeverinë e Assadit për të negociuar me Rusinë.

Eksperti për Lindjen e Mesme dhe sigurinë kombëtare, Ari Ratner thotë se duhet përfituar nga çdo shans për një zgjidhje me negociata.

"Se si mund të ishte saktësisht një zgjidhje me negociata, kjo mbetet për t'u diskutuar, si brenda Sirisë, ashtu edhe në komunitetin më të gjerë ndërkombëtar. Por në qoftë se përgatitjet për luftë këto dy javët e fundit, të cilat kanë qenë mjaft kaotike në shumë aspekte, arrijnë t'i japin një shtytje diplomacisë, ajo duhet provuar edhe një herë të fundit, edhe pse mund të përfundojë me dështim."

Analisti thotë se ata që janë kundër përdorimit të forcës në Siri do të jenë më të gatshëm që të rishikojnë alternativën ushtarake nëse shohin se po bëhen përpjekje diplomatike.

XS
SM
MD
LG