Lidhje

Dhuna me armë dhe sëmundjet mendore


Pas një tjetër incidenti tragjik, kur një person i armatosur vrau 12 veta në një bazë ushtarake në Uashington, në Kongres po flitet përsëri në lidhje me sigurinë e armëve. Ndarjet e thella mbi këtë çështje nuk e kanë lejuar Kongresin të miratojë ligje të reja për kontrollin e armëve në fillim të këtij viti, edhe pas vrasjes së 20 fëmijëve në një shkollë fillore të shtetit Konektikat dhjetorin e kaluar. Por mjekët po i shtohen tani debatit rreth kësaj çështjeje.

Pranë vendit të ngjarjes, mjekët flasin hapur kundër dhunës me armë.
Në spitalin Medstar të Uashingtonit, ku po trajtohen viktimat e incidentit, Janis Orlowski tha se kjo është një “fatkeqësi” për shoqërinë amerikane.
“Unë mund të jem shefja e një qendre të madhe traume, por kur kemi vrasje të shumta, lëndime të shumta, diçka nuk shkon.”

Një studim i publikuar në revistën akademike të mjekësisë American Journal of Medicine, tregon se pronësia e armëve nuk e bën një vend më të sigurt. Raporti gjen një faktor tjetër në nivelin e dhunës me armë: sëmundjet mendore.
Ata që kanë kryer vrasje masive gjatë viteve të fundit në Kolorado, Arizona, Teksas dhe Virxhinia ishin të gjithë njerëz me sëmundje të rënda mendore dhe mundësi për të përdorur armë.

Dr. Eliot Sorel është psikiatër në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit George Washington.
“Njerëzit me sëmundje mendore të cilët nuk trajtohen, janë më të dhunshëm se sa pjesa tjetër e popullsisë.”

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor, ata me sëmundje të rënda mendore janë më të dhunshëm nëse janë nën ndikimin e alkoolit ose drogës, ose gjatë një situate të skajshme. Por instituti raporton gjithashtu se shumica e njerëzve me një sëmundje të rëndë mendore nuk janë të dhunshëm.

Megjithatë, statistikat tregojnë se në Shtetet e Bashkuara, gati gjysma e të rriturve me një sëmundje serioze mendore nuk janë nën trajtim.
“Shëndeti mendor është pak a shumë i lënë pas dore dhe akoma është, si të thuash, jetimi i sistemit shëndetsor. Kështu që qasja e këtyre shërbimeve është shumë e kufizuar.

Dr. Sorel flet gjithashtu për aspektet kulturore të shoqërisë amerikane – vlerat e të drejtave individuale dhe amendamenti i dytë i kushtetutës i cili jep të drejtën për të mbajtur armë.

Ai thotë se për të pakësuar incidentet e dhunës me armë, kjo duhet trajtuar si një çështje e shëndetit publik.
“Ne kemi mjetet në fushën e shëndetit publik për të bërë një shqyrtim të disiplinuar të asaj që po ndodh dhe për të arritur në disa rekomandime.”

Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë dakord se njerëzit me sëmundje të rënda mendore nuk duhet t’u lejohet armëmbajtja, por ata shtrojnë pyetjen se sa i efektshëm është sistemi i tanishëm i shëndetit mendor për të parandaluar incidentet me armë.



XS
SM
MD
LG