Lidhje

Studim i ri mbi sigurinë ajrore


Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së ka publikuar një studim të hollësishëm që thotë se pilotët po mbështeten së tepërmi tek sistemet e automatizuara – gjë që mund të çojë në situata të rrezikshme. Gjetjet janë në përputhje me raportimet e Zërit të Amerikës në gusht lidhur me rrëzimin në San Francisko të një avioni të kompanisë Asiana Airlines. Gazetarja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti njoftoi mbi atë histori dhe tani na sjell detajet e studimit të ri dhe se çfarë do të thotë ky studim për udhëtarët në mbarë botën.

Ekspertët e aviacionit e quajnë atë varësi nga sistemet automatike, pra përdorimi i tepruar i “pilotit automatik” ose i fluturimit me anë të kompjuterit të avionëve të pasagjerëve. Por kjo teknologji ka ndihmuar që udhëtimi ajror të jetë më i sigurtë se kurrë. Raporti i Administratës Federale të Aviacionit është dakord me këtë pohim, por thotë se pilotët nuk janë shumë të aftë të drejtojnë një aeroplan në mënyrë manuale në raste urgjence, ose kur kalohet nga sistemi automatik në atë manual.

Për herë të parë Zëri i Amerikës raportoi mbi "varësinë nga sistemet e automatizuara" si një nga faktorët e mundshëm në rrëzimin e muajit korrik të një avioni pasagjerësh të kompanisë Asiana. Avioni Boeing 777 goditi një mur rrethues të aeroportit të San Franciskos ndërsa pilotët u përpoqën të realizonin një ulje manuale të zakonshme. Si pasojë u vranë tre vetë dhe u plagosën më shumë se 180 të tjerë.

Vic Hooper ka qenë kapiten në avionë të kompanisë Asiana deri dy vjet më parë. Ai thotë se pilotët që e shoqëronin preferonin të fluturonin duke përdorur pilotin automatik sesa në mënyrë manuale.

"Ndonjëherë, i shtyja pak përtej gjërave që bënin zakonisht. Për shembull përpiqesha t’i bindja të fluturonin me qasjen me sy të lirë. Nuk ishin të sigurt me atë mënyrë."

Ish-trajneri i pilotëve Ross Aimer, duke iu referuar vizës ngjyrë vjollcë që tregon pistën në instrumentet me teknologji të lartë, thotë:

"Ka raste kur një pilot me përvojë duhet të jetë në gjendje të fikë plotësisht të gjitha teknologjitë në dispozicion dhe të kthehet tek fluturimi me njohuritë bazë"

Sipas raportit, në një të katërtën e aksidenteve të studiuara, pilotët kishin besim të tepruar tek piloti automatik dhe ndonjëherë vazhdonin ta përdornin edhe ku duhet ta ndërprisnin. Studimi vë në dukje atë që e quan një "rënie të aftësive për fluturim manual", që në të ardhmen mund të përkeqësohet.
Konsulenti ajror John McGraw thotë se kjo është diçka që mund ta shohim dhe në kontekste të tjera. Ai ka punuar 17 vjet për Administratën Federale të Aviacionit.

"Po të shohim se si njerëzit drejtojnë makinat sot, me gjithë sistemet e automatizuara që ato përmbajnë, vëmë re se disa janë të zotët ndërsa disa nuk janë, dhe ata e bëjnë këtë pa asnjë trajnim."
Raporti i ri rekomandon më shumë fluturime manuale dhe veçanërisht më shumë trajnim për momente të rralla të rrezikshme. Por trajnimet kushtojnë dhe i largojnë pilotët nga praktika e përditshme – që është dhe burimi i të ardhurave për linjat ajrore. Michael Huerta drejton Administratën Federale të Aviacionit.

"Me teknologjinë që kemi në dispozicion për simulimet e fluturimit, jemi në gjendje të rrisim në mënyrë të konsiderueshme nivelin e trajnimit."

Raporti i agjencisë mori në shqyrtim 26 raste aksidentesh ajrore në mbarë botën deri në vitin 2009, pa përfshirë raste të fundit, si ai i rrëzimit të avionit të Asiana-s.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit kontaktoi Zërin e Amerikës pasi ne transmetuam kronikën mbi aksidentin e kompanisë Asiana dhe intervistoi pilotët e përfshirë në transmetimin tonë. Bordi do të zhvillojë në dhjetor seanca dëgjimore mbi aksidentin dhe më pas do të nxjerrë përfundimet e tij.
XS
SM
MD
LG