Lidhje

2013 vit jo i mirë për Kongresin


Kongresi i 113-të amerikan ka qënë më pak produktivi në histori, me Dhomën e Përfaqësueve dhe Senatin që kanë kaluar vetëm 57 projekt-ligje që janë miratuar më pas nga Presidenti Barack Obama. Analistët thonë se edhe për një qeveri të ndarë, në të cilën demokratët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë ndërsa republikanët Dhomën e Përfaqësuesve, puna e Kongresit ka qënë në nivele rekord të ulta. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë kongresit Cindy Saine, shumica e analistëve nuk presin një ndryshim dramatik vitin e ardhshëm, ndërsa ligjvënësit përballen me zgjedhje në nëntor.

Reforma e imigracionit u miratua në Senat, por as që u hodh në vote në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo bëri që disa aktivistë të fillonin një grevë urie për të tërhequr vëmendjen e ligjvënësve.

Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi e përmblodhi me këto fjalë zemërimin e demokratëve.

"Këtu ka rrëmujë. Duhet të vendosim rregullin!"

Rendi i ditës në Dhomën e Përfaqësuesve përcaktohet nga republikanët që kanë shumicën dhe ata harxhuan shumë kohë duke miratuar ligje për të hedhur poshtë ose për të vonuar hyrjen në fuqi të reformës së kujdesit shëndetësor të presidentit Obama.

“Ata votuan për të rrëzuar ligjin 37 herë, duke e ditur mirë se asgjë nuk do të ndryshonte. Ata kanë arritur shumë, shumë pak. Kjo gjë dihej dhe kështu me siguri do të vazhdohet në mungesë të ndonjë krize të madhe”, thotë analisti Stan Collender.

Kundërshtimi i reformës shëndetësore nga republikanët çoi në mbylljen e qeverisë federale për dy javë në tetor, me grupet konservatore që ishin zërat më të fuqishëm kundër tij.

Dy muaj më vonë, udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner kritikoi disa republikanë duke thënë se ata e shtyn partinë në një ngërç të kotë të buxhetit.

“Një ditë para se të rihapej qeveria, një person nga këto grupe u ngrit dhe tha – e dinim që nuk do të kishim suskses. U shtanga!”

Stuart Rothenberg është analist politik.


“Republikanët, demokratët, të pavarurit, të gjithë mendojnë se Kongresi ka dështuar të zgjidhë problemet më të vështira me të cilat përballet vendi. Ata thjesht zihen dhe është thjesht për politikë.Secila palë i hedh fajin palës tjetër. Kongresi si institucion konsiderohet tani në nivelin më të ulët që e kam parë.”


Republikani veteran, Senatori John McCain është dakort.

“Populli amerikan, me të drejtë ka pak respekt për ne. Mbështetja është gati 9 për qind. Në vitet ‘90, apo ‘80 niveli i mbështetjes ishte 60 përqind, dhe jo si tani.”

Senatori McCain thotë se atmosfera në Kongres është më e keqja që ai kujton në 30 vjetët e karrierës së tij në Kongres. Ai thotë se ligjvënësit nuk duhet të harrojnë se mund të bësh kompromis për të miratuar ligje, pa kompromentuar parimet që ke.
XS
SM
MD
LG