Konferenca e dytë ndërkombëtare e shumë pritur mbi Sirinë është në plan të fillojë nesër në vendpushimin Montreux dhe do të vazhdojë nga fundi i javës në Gjenevë. Parashikimet për rezultate janë shumë të pakta, ndërsa palët e përfshira në konflikt dhe përkrahësit e tyre ndërkombëtarë kanë pikpamje krejt të ndryshme mbi të ardhmen e Sirisë.
Luftimet vazhdojnë në Siri për gati 3 vjet, duke lënë rreth 100 mijë të vrarë dhe 500 mijë të shpërngulur brenda ose jashtë vendit. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 9 milionë sirianë kanë nevojë urgjente për ndihma dhe shumë prej tyre janë të izoluar për shkak të luftimeve.
Ndërsa vendet perëndimore dhe ato arabe mbështesin opozitën dhe Rusia e Irani mbështesin qeverinë, të dyja palët kanë vazhduar luftimet dhe kanë shtuar kërkesat e tyre, thotë Chris Doyle i Qendrës për Mirëkuptimin Arabo-Britanik.
“As regjimi dhe as forcat e shumta e të ndryshme të opozitës nuk janë gati të tërhiqen nga pozitat e tyre ekstreme”.
Kjo u pa qartë ditët e fundit, ndërsa zyrtarët perëndimorë thonë se presidenti Bashar al-Assad duhet të japë dorëheqjen dhe presidenti sirian thotë se nuk ka ndërmënd ta bëjë një hap të tillë.
Nën presionin intensiv të Perëndimit, opozita e përçarë pranoi me ngurim të marrë pjesë në konferencë, por tha se do ta braktisë atë nëse Damasku përpiqet t’i shmanget diskutimit të largimit të Assadit nga pushteti.
Ekzistojnë propozime për armëpushime, shkëmbime të burgosurish dhe korridore humanitare.
Por David Butter i Chatham House të Londrës thotë se konferenca nuk ka të ngjarë të arrijë përparim mbi këto çështje dhe marrëveshjet procedurale janë arritjet më të mira për të cilat mund të shpresohet.
“Nëse ekziston një kornizë që mund të garantojë pjesëmarrëjen e të dyja palëve, kjo do të ishte më mirë se asgjë. Mendoj se ky është maksimumi që mund të thuhet mbi këtë proces për momentin”.
Zoti Butter vë në dukje se shumë prej luftëtarëve të opozitës kanë refuzuar të dërgojnë përfaqësues në këtë konferencë dhe elementët më militantë kanë kërcënuar se do të hakmerren kundër çdo grupi që merr pjesë.
“Çdo lloj zgjidhje e konfliktit sirian duhet të përfshijë pa tjetër forcat luftarake në teren. Asnjë prej grupeve kryesore në teren nuk janë të angazhuara për ndonjë lloj procesi negocimi për momentin”.
Fuqitë rajonale si Irani, Arabia Saudite, Katari dhe Turqia e ndërlikojnë edhe më shumë krizën, pasi secili prej këtyre vendeve përpiqet të mbrojë interesat e veta. Chris Doyle thotë se nuk është e mundur që të kënaqen të gjitha palët në konfliktin sirian.
“Këta aktorë duhet të pranojnë gjithashtu faktin se nuk do të përmbushin të gjitha objektivat e tyre dhe ata duhet të zbusin këtë Luftë të Ftohtë që ka mbërthyer Sirinë, që në fakt ka nxitur luftimet”.
Kombet e Bashkuara, që do të drejtojnë konferencën, e kanë cilësuar për një kohë të gjatë gjendjen e popullit sirian si të dëshpëruar, por ekspertët thonë se qëllimi krysor i konferencës lidhet me diplomacinë e fuqive të mëdha dhe ndoshta fillimin e një procesi mes palëve siriane, me pak shpresa për rezultate konkrete drejt përfundimit të luftës dhe ndihmës për viktimat e saj.