Lidhje

Forcat speciale SEAL kapin anijen cisternë në Libi


Pentagoni thotë se forcat speciale SEAL të marinës amerikane kanë kapur një anije cisternë që po transportonte me naftë të marrë në mënyrë të paligjshme nga një port në Libi, nën kontrollin e forcave rebele.

Departamenti i Mbrojtjes tha sot se askush nuk u dëmtua në anijen “ pa shtetësi” që ishte marrë nën kontroll në fillim të muajit nga tre libianë të armatosur.

Në deklaratë thuhet se ky veprim u kërkua nga qeveritë libiane dhe qipriote dhe ai u miratua nga Presidenti Obama. Anija u kap mbrëmë vonë, në ujëra ndërkombëtare në jugperëndim të Qipros. Në deklaratë thuhet se ushtarët amerikanë tani kanë marrë kontrollin e anijes, të quajtur Morning Glory. Anija cisternë me ngarkesën do të dërgohet në një port në Libi.

The Morning Glory u ngarkua me naftë në portin libian As-Sadra, të kontrolluar nga një grup rebelësh. Ajo mbante flamurin e Koresë së Veriut, por Pheniani mohoi përgjegjësinë, duke thënë se anija ka lidhje me një kompani egjiptiane. Koreja e Veriut atëhere e anuloi regjistrimin e anijes.

Qeveria libiane tha se ka urdhëruar forcat speciale të dislokohen brenda dy javëve, për t’i vënë nën kontrollin e qeverisë të gjitha portet që mbahen nga forcat rebele.
XS
SM
MD
LG