Lidhje

Diplomatët perëndimorë përqendrohen te Iraku


Diplomatë të lartë perëndimorë janë duke u përqëndruar te kriza në Irak dhe po shtojnë thirrjet që vendi të bashkohet përballë kryengritjes së militantëve islamikë Sunni. Sekretari i Jashtëm britanik William Hague po viziton Irakun, ndërsa në Paris, ministri i jashtëm francez Laurent Fabius pati bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague shkoi sot në Bagdat, ku u takua me kryeministrin e Irakut Nuri al-Maliki dhe pritet të ketë bisedime me Masud Barzanin, presidentin e rajonit autonom kurd të Irakut.

Zoti Hague tha se Iraku "përballet me një kërcënim ekzistencial," dhe se bashkimi politik është faktori më i rëndësishëm për kapërcimin e kësaj sfide.

Kohët e fundit Britania përjashtoi çdo përfshirje ushtarake në Irak, por zoti Hague tha se një "ekip operacional britanik ndërlidhjeje dhe zbulimi" arriti në Bagdad gjatë fundjavës. Ai shtoi se Britania do të japë ndihmë humanitare, nëse është e nevojshme.

Zoti Hague tha se deri në 400 shtetas britanikë mund të jenë duke luftuar në Siri dhe se një pjesë ndoshta po luftojnë në Irak përkrah grupit radikal ISIL – Shteti islamik në Irak dhe Levant.

Në Paris, ministri i jashtëm francez Laurent Fabius pati bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry. Zoti Fabius tha se Iraku po përballet me një "situatë të vështirë", por se ata shpresojnë që irakianët të bashkohen.

"Kjo është një domosdoshmëri jo vetëm për Irakun, por për të gjithë rajonin, për shkak se kemi të bëjmë me një kërcënim për Irakun, rajonin, Evropën dhe për SHBA," tha zoti Fabius.

Sekretari Kerry, i cili këtë javë u takua me Zotin Maliki dhe Barzani, tha se ai dhe ministri Fabius janë dakord në dëshirën që Iraku të formojë sa më shpejt një qeveri "e cila të përfaqësojë unitetin e vendit."

Udhëheqësit irakianë thonë se do të respektojnë afatin e 1 korrikut për të filluar formimin e një qeverie, pas zgjedhjeve parlamentare të 30 prillit.

Sekretari Kerry po diskuton mbi gjendjen në Irak edhe me homologët e tij nga Jordania, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që ndodhet në Francë.

Zoti Maliki e ka kundërshtuar formimin e një qeverie emergjente, duke thënë se kjo do të ishte në kundërshtim me kushtetutën e vendit dhe me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 30 prillit.

Qeveria e tij e udhëhequr nga shiitët është përballur me kritika për mospërfilljen e pakicave dhe për nxitjen e tensioneve sektare. Në një fjalim të mbajtur dje, ai bëri thirrje për unitet.

Militantët e grupit ISIL, pjesë e al-Kaidës, kanë pushtuar zona të gjera në të gjithë Irakun verior dhe perëndimor.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë deri në 300 këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar Irakun të luftojë militantët. Grupi i parë i këshilltarëve e filloi misionin të martën dhe të tjerë pritet të arrijnë në ditët e ardhshme.

XS
SM
MD
LG