Tensionet mes Kievit dhe Moskës u rritën ndjeshëm sot, kur një gjeneral ukrainas paralajmëroi për një sulm të përgjithshëm ushtarak rus, ndërkohë që shefi i sigurimit të Ukrainës tha se kishte "prova absolute" që Rusia është përfshirë në rrëzimin e një avioni ushtarak ukrainas.
Gjenerali Mykhaylo Koval, zëvendës sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës i tha televizionit vendas se "Ukraina, si kurrë më parë, është në prag të një agresioni në shkallë të gjerë nga fqinji verior."
Komentet bëhen ndërkohë që Moska ka ftuar diplomatë nga 18 vende për të vizituar një qytet kufitar rus ku ajo thotë se nga predhat ukrainase u vra një person të dielën. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se specialistët e huaj ushtarakë dhe gazetarët do ta vizitonin sot qytetin në rajonin Rostov.
Ministria e Jashtme e Rusisë e përshkroi incidentin si "një veprim agresiv nga ana e Ukrainës kundër territorit sovran rus dhe qytetarëve të Federatës Ruse", që mund të ketë "pasoja të pakthyeshme." Qeveria e Ukrainës mohon se ka gisht në këtë incident.