Lidhje

Jeta me virusin HIV në Kamboxhia


Edhe pse virusi HIV dhe SIDA tashmë mund të trajtohen, një diagnozë pozitive është ende një përvojë dramatike. Në Kamboxhia, njerëzit e prekur shpesh largohen nga rrjeti shoqëror, ai familjar dhe nga komuniteti. Kjo gjendje poshtërimi mund të bëhet e papërballueshme. Në vazhdim ju sjellim përpjekjet e një gruaje kamboxhiane për të kapërcyer një tragjedi si dhe diagnozën e vet pozitive me virusin HIV.

Kur qëndron para pasqyrës çdo mëngjes, Uch Navi, shikon në foto bashkëshortin e saj dhe kujton kohët e bukura që kaluan së bashku.

Ai vrau veten pasi mësoi se kishte virusin HIV.

"Menjëherë pas funeralit të tij, fillova të përçmohesha dhe të trajtohesha ndryshe nga banorët e fshatit. Fëmijët nisën të talleshin me djalit tim, duke i thënë: ‘Babai yt kishte SIDA. Mund të ketë infektuar tërë fshatin.’"

Pas vdekjes së burrit, Uch Navi vazhdoi të jetonte në shtëpinë e saj, pranë kufirit me Tajlandën, por kishte frikë se edhe ajo mund të ishte e infektuar.

"I thashë vetes se në qoftë se do të isha e infektuar, edhe unë do të vrisja veten. Më mirë të vdisja, sepse të jesh me SIDA është turp i madh. Njerëzit neveriten prej kësaj sëmundjeje," thotë ajo.

Kur bashkëfshatarët i vunë zjarrin shtëpisë së saj, Uch Navi u kthye në vendlindje për të jetuar me të motrën, pranë Phnom Penh-it.

Ajo ishte shpesh e sëmurë dhe një test konfirmoi frikën e saj: ishte e infektuar me HIV, virusi që shkakton SIDA-n.

"Motra ime e vetme dhe kushërinjtë e mi shfaqnin neveri ndaj meje. Më parë hanim së bashku, por pasi u diagnostikova me HIV, ata nuk donin të hanin me mua. Kur djali im ishte pranë duke luajtur, e quanin 'fëmija i SIDA-s'."

Kamboxhia ofron mjekim falas për 70 mijë njerëzit me virusin HIV në vend. Por shumë prej tyre duhet të lëvizin nga fshati për në qytet për t’u trajtuar. Ata me mundësi të pakta jetojnë në varfëri.

Stigma me të cilën përballen nga anëtarët e familjes dhe komuniteti shpesh i çon në ndjenja vetë-fajësimi dhe turpi.

"75 për qind e tyre mendojnë se kanë bërë një gabim të madh në jetë dhe e izolojnë veten nga shoqëria. Rastet e rënda shpesh përfundojnë në vetëvrasje," thotë Teng Kunthy, sekretar i përgjithshëm i Autoritetit të Kamboxhias për SIDA-n.

Duke u ndjerë e dëshpëruar dhe e vetme, Uch Navi mendoi të ndiqte të shoqin: të bënte vetëvrasje.

"Ndihesha aq e sëmurë dhe e dobët saqë nuk doja të jetoja më. Pastaj mendova për tim bir dhe më erdhi keq për të, kështu që u përpoqa të mbijetoja vetëm për të."

Edhe pse Uch Navi gjeti forcë për të mbetur gjallë, jeta nuk ishte e lehtë. Motra e saj nuk mund ta ndihmonte më.

"Thjesht nuk mund ta ushqeja dot, sepse mezi arrij të paguaj shpenzimet për dy vajzat e mia."

Uch Navi tani ndihet më mirë, si mendërisht dhe fizikisht. Ajo merr strehim, ushqime dhe mjekim nga "Place of Rescue", një organizatë kanadeze që mbështet njerëzit me virusin HIV.

Ai që i jep kuptim jetës së saj është i biri. Por shpesh mendimet e saj enden tek bashkëshorti.

"Ndiej zemërim dhe keqardhje përditë. Sikur të ishte gjallë, tani do të kishte mundur të trajtohej dhe do të ndihej më mirë, si njerëz të tjerët që kanë sëmundjen. Ai nuk duhet të ishte treguar aq dritëshkurtër."

Pavarësisht sfidave, jeta e saj vazhdon. Është jeta e një nëne të ve që kujdeset për djalin e saj të vetëm.

XS
SM
MD
LG