Lidhje

Të paktën 15 të vrarë sot në një shkollë Gazë


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmat e dënoi ushtrinë izraelite, pasi predhat nga tanket goditën sot në mëngjes një shkollë të drejtuar nga Kombet e Bashkuara në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 15 persona. Pas sulmit, Izraeli mbajti një armëpushim humanitar për katër orë. Grupi islamist Hamas, e dënoi armëpushimin si “pa vlerë” dhe një lojë mediatike. Ushtria izraelite tha se 26 raketa ishin hedhur drejt Izraelit gjatë pauzës.

Predhat nga tanket izraelite kanë goditur një shkollë të drejtuar nga Kombet e Bashkuara në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 15 persona.

Sulmi ndodhi herët të mërkurën në kampin e refugjatëve Jebaliya në veri të Gazës.

Shkolla është një nga 85 vendet ku agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë i ofron njerëzve strehim pasi janë dëbuar nga shtëpitë e tyre pas më shumë se tre javë luftimesh. Kombet e Bashkuara thonë se tashmë gjenden më shumë se 200 mijë njerëz në këto vende.

“Njerëzit u martirizuan përpara syve tanë, u gjymtuan. Pesë njerëz duke përfshirë një grua u vranë në këtë klasë. Kemi ardhur këtu nga zonat e tjera sepse ato nuk ishin të sigurta. Dhe as këtu nuk gjetëm siguri. Nuk ka vend të sigurt në Gazë.”

Bombardimet ishin pjesë e fushatës izraelite të sulmeve të vazhdueshëm ajrorë dhe zjarrin nga tanket që vranë të paktën 32 njerëz të mërkurën.

Zyrtarët palestinezë thonë se më shumë se 1200 njerëz, shumica e tyre civilë, janë vrarë që nga 8 korriku. 53 ushtarë izraelitë dhe tre civilë janë vrarë gjithashtu.

Komandanti i grupit militant Hamas tha në një mesazh të martën se palestinezët nuk do të pranojnë një armëpushim deri sa Izraeli të heqë bllokadën e Gazës.

“Në këtë raund, njësia okupuese nuk do të gëzojë siguri deri sa njerëzit tanë të jetojnë me liri dhe dinjitet. Nuk do të ketë armëpushim para se agresioni të ndalohet dhe të hiqet bllokada. Ne nuk do të pranojmë zgjidhje të përkohshme nga e cila nuk përfitojnë njerëzit tanë.”

Izraeli filloi bombardimin e Gazës si përgjigje e raketave militante, dhe që atëherë ka zgjeruar operacionet për të përfshirë edhe pushtim tokësor për të shkatërruar një rrjet tunelesh ndërkufitare. Forcat Izraelite të Mbrojtjes thanë të mërkurën se militantët kanë lëshuar rreth 2.700 raketa qëkur filloi konflikti.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se operacioni ushtarak kundër Hamasit nuk do të ndalë deri sa Izraeli të shkatërrojë një rrjet tunelesh të cilat Hamasi i përdor për të kontrabanduar armë dhe terroristë në Izrael.

XS
SM
MD
LG