Lidhje

OKB, thirrje për një përgjigje globale ndaj Ebolës


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë në plotësimin e mungesave të mjekëve, infermierëve dhe pajisjeve të nevojshme për luftimin e Ebolës që është përhapur në Afrikën Perëndimore.

Në një konferencë shtypi dje, zoti Ban tha se një përgjigje e organizuar globale është çelësi për kontrollimin e përhapjes më të rëndë në histori të një virusi. Ai njoftoi se ka caktuar ekspertin e shëndetit publik të OKB-së, David Nabarro që të koordinojë përpjekjet e Kombeve të Bashkuara në luftën kundër Ebolës.

Shefi i OKB-së i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të shmang "panikun dhe frikën", duke thënë se virusi Ebola mund të parandalohet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 1.000 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i përhapjes së Ebolës në shkurt, shumica e tyre në Guine, Liberi dhe Sierra Leone. Përhapja e këtij virusi, nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të infektojë më shumë njerëz se të gjitha viruset e tjera së bashku. Ende nuk ka kurë të njohur për këtë sëmundje.

XS
SM
MD
LG