Lidhje

SHBA, fluturime vëzhgimi mbi Siri


Shtetet e Bashkuara kanë filluar fluturime vëzhgimi mbi Siri, pas autorizimit të Presidentit Barak Obama.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti nuk ka miratuar ndonjë veprim ushtarak, por SHBA-ja është duke përgatitur alternativat ushtarake për të goditur luftëtarët e Shtetit Islamik, ISIS, që kanë marrë territore të gjera në Sirinë lindore si dhe në Irakun verior e perëndimor.

Aeroplanët amerikanë kanë ndërmarrë sulme ajrore në Irak, duke ndihmuar forcat irakiane dhe kurde të rimarrin territore që mbaheshin nga militantët, duke përfshirë një digë në Mosul që është me rëndësi kyçe për furnizimin me energji të një pjese të mirë të Irakut.

Zyrtarët e Pentagonit kanë shprehur nevojën për të goditur grupin Shteti Islamik në të dy anët e kufirit, në Siri e Irak.

Por operacioni komplikohet nga lufta civile në Siri. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se zoti Obama nuk dëshiron që veprimet e SHBA të shihen si ndihmë për presidentin sirian Bashar al-Asad, i cili ka fajësuar në mënyrë të përsëritur "terroristët" për konfliktin në Siri që vazhdon prej më shumë se tre vjetësh.

SHBA, ndërhyrja ushtarake nuk është "mjeti i vetëm" kundër Shtetit Islamik

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha dje se ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë me seriozitet trajtimin e kërcënimit nga Shteti Islamik, forca ushtarake nuk është "mjeti vetëm" që mund të përdoret kundër militantëve të këtij grupi.

Ai shtoi se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme do të kërkonte përfshirjen aktive të një qeverie efikase dhe gjithëpërfshirëse të Irakut.

Zëdhënësi Earnest tha se nuk ka prova për një komplot aktiv të Shtetit Islamik ndaj territorit të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG