Lidhje

Reagime për vrasjen e gazetarit amerikan


Presidenti Barack Obama tha se ekzekutimi me prerje koke i një gazetari amerikan nga militantët e Shtetit Islamik ishte një akt mizor dhune. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen dhe u zotua të krijojë një koalicion për të shkatërruar Shtetin Islamik. Nga ana e tij nënpresidenti Biden tha: “Ne do t’i ndjekim deri tek portat e ferrit për t’i sjellë para drejtësisë, sepse në ferr do të përfundojnë. Nëse mendojnë se amerikanët do të tremben, nuk na njihkan mirë”. Po të mërkurën, në një intervistë për CNN-in, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se vrasja me prerje koke ishte një akt tepër i rëndë. Ai shtoi se mbi 100 shtetas amerikanë kanë shkuar për të luftuar krahas militantëve në Irak dhe në Siri dhe se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre duhet të bëjnë gjithshka që është e mundur për të ndalur pa humbur kohë veprimet e Shtetit Islamik.

Ndërkohë, qeveria amerikane ka konfirmuar vërtetësinë e videos të publikuar në internet, ku tregohej ekzekutimi i gtazetarit Steven Sotloff.

Duke folur me gazetarët sot në Estoni, Presidenti Obama tha se ata që vranë gazetarin Steven Sotloff kanë dështuar në gjithçka që po përpiqen të arrijnë, sepse Shtetet e Bashkuara dhe e gjithë bota janë "të revoltuara me barbarinë e tyre" dhe nuk do të frikësohen.

"Këta vrasës përpiqen të tregojnë se ata mbrojnë njerëzit e shtypur, por ishte Steven Sotloff, i cili udhëtoi nëpër Lindjen e Mesme, duke rrezikuar jetën, për të treguar historinë e burrave dhe grave myslimane që kërkojnë drejtësi dhe dinjitet. Çfarëdo që këta vrasës mendojnë se arrijnë duke vrarë amerikanë të pafajshëm si Steve, ata kanë dështuar. Kanë dështuar sepse ashtu si njerëzit kudo në botë, amerikanët i neverit barbaria e tyre. Ne nuk frikësohemi," tha Presidenti Obama.

"Veprimet e tyre mizore vetëm se na bashkojnë si vend dhe forcojnë vendosmërinë tonë për të bërë luftë kundër këtyre terroristëve. Ata që bëjnë gabimin të vrasin amerikanë do të mësojnë se ne nuk harrojmë, se ne do t'i gjejmë ata dhe se drejtësia do të vihet në vend," tha Presidenti amerikan.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar Caitlin Hayden tha se agjencitë amerikane të zbulimit analizuan videon që tregon vrasjen e gazetarit Sotloff dhe se rezulton që ajo është e vërtetë.

Ekstremistët e Grupit Shteti Islamik e publikuan videon dje. Një militant me theks britanik i veshur në të zeza dhe i maskuar i drejtohet zotit Obama, dhe thotë se ekzekutimi i gazetarit është hakmarrje ndaj sulmeve ajrore amerikane kundër grupit Shteti Islamik në Irak. Personi që flet në video kërcënon gjithashtu jetën e pengut britanik David Cawthorne Haines.

Në Londër, Sekretari i Jashtëm britanik Philip Hammond komentoi për gazetarët:

"Analiza jonë paraprake tregon se kjo video është e vërtetë, se fjala është për të njëjtin person me theks britanik që ishte edhe në videon e mëparshme. Në këto çaste ne qëndrojmë pranë familjes dhe miqve të zotit Sotloff dhe po bëjmë gjithçka mundemi për të qetësuar familjen e pengut britanik që tregohet në video," tha Sekretari Hammond.

Në një fjalim të mbajtur sot, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon dënoi ekzekutimin e gazetarit dhe dhe "vrasjet e tjera brutale" të civilëve nga ana e militantëve.

"Kjo është krejtësisht e papranueshme, këto lloj krimesh brutale dhe çnjerëzore janë një krim kundër njerëzimit dhe autorët duhet të nxirren para drejtësisë. Kjo është një politikë e vendosur e Kombeve të Bashkuara," tha zoti Ban.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore kundër shtetit islamik në koordinim me qeverinë e Irakut që nga fillimi i gushtit.

Presidenti Obama tha sot se objektivi i SHBA është i qartë: të degradojnë dhe shkatërrojnë grupin Shteti Islamik.

"Ne jo vetëm do të nxjerrim para drejtësisë ata që kryen krimin e tmerrshëm kundër dy gazetarëve amerikanë. SHBA do të vazhdojnë të udhëheqin një përpjekje rajonale dhe ndërkombëtare kundër këtij vizioni barbar dhe të zbrazët që përfaqëson Shteti Islamik," tha Presidenti Obama.

Pentagoni thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë sulmet ajrore me synim të shkatërrojnë aftësinë e grupit Shtetit Islamik për të rrezikuar personelin dhe objektet amerikane.

XS
SM
MD
LG