Lidhje

Njujorkezët ndajnë mes tyre biçikletat dhe makinat


Me më shumë se një miliard automjete në botë, kompania RelayRides ndihmon pronarët të venë në përdorim makinat e tyre.
Anas Kasawat fitoi më shumë se 1 mijë dollarë këtë muaj.

"Gjithmonë kam menduar se si mund të jepja me qira makinën time, por ishte e vështirë të gjeje siguracionin e duhur dhe askush nuk ta bënte. Pra RelayRides ishte zgjedhje e përkryer në fund."

Siguria ndaj rreziqeve dhe vjedhjeve janë shqetësime të mëdha në ekonominë e ndarjes së objekteve. Shërbimi ndërkombëtar i udhëtimeve brenda qyteteve "Uber" u kritikua kohët e fundit për mos përgjigje ndaj shqetësimeve të konsumatorëve lidhur me aksidente dhe vjedhje.
Por kompania RelayRide ka investuar miliona dollarë duke ofruar garanci që kanë krijuar besim tek drejtuesit e automjeteve. Shumëllojshmëria e makinave elektrike, luksoze dhe modeleve të ndryshme që ofron, e bën të vështirë konkurrencën për kompanitë tradicionale të makinave me qira.
Shërbimi i bazuar në një program kompjuterik është 35% më i lirë se kompanitë tradicionale. Por aspekti ekonomik është vetëm një pjesë e arsyes pse njerëzit janë duke përdorur teknologjinë e ndarjes së objekteve, thotë drejtori ekzekutiv i RelayRides, Andre Haddad.

"Mendoj se shumë njerëzve u intereson trashëgimia e tyre shoqërore, impakti i tyre mjedisor dhe kur mendon se sa makina ka që mund të shfrytëzohen më mirë dhe mbi faktin që do të kishim më pak nevojë për makina të tjera, ky është gjithashtu një motivim i madh për shumë prej përdoruesve tanë, që rendisin makinat e tyre në RelayRides."

Daryn Swanson jep me qera biçikletën e tij në "Spinlister". Për të, shërbimi ka të bëjë me lidhjet dhe komunitetin.
"Thjesht më pëlqen ideja të ndaj gjërat e mia. Kam tre - katër biçikleta dhe nuk i përdor të gjitha në të njëjtën kohë, kështu që mendova se do ishte një mënyrë e mirë dhe për të njohur njerëz, duke ndarë ato që kam."
Për Andrew Batey të kompanisë Spinlister, ekonomia e ndarjes së objekteve është bashkim i njerëzve me mendime dhe pasione të përbashkëta.
"Vërtet e shoh këtë gjë kudo. Ne jemi përhapur në 66 vende tashmë. Unë mund të shkoj në Bangladesh dhe atje ndihen njëlloj lidhur me biçikletat si unë."
Dhe kur biçikleta e Daryn Swanson nuk u kthye në kohë, ai mbeti i kënaqur me reagimin e Spinlister-it.

"Ata ishin shumë të mirë për këtë, më dhanë kredite që mund t’i përdorja me ta dhe ishin shumë të përgjegjshëm dhe të shpejtë. Ndoshta ka të bëjë fakti që janë ende një kompani e vogël dhe mund të marrësh më shumë vëmendje personale prej tyre."

Një studim i pavarur i kërkuar nga Spinlister thotë se vetëm 4% e amerikanëve përdorin qoftë edhe shërbimet më popullore të ndarjes së objekteve.
"Nuk është një pjesë shumë e madhe e tregut. Mendoj se, në fund, kompanitë që do të ekzistojnë edhe pas dhjetë vjetësh janë ato që përqëndrohen tek shërbimi ndaj klientëve dhe që sigurojnë që të gjithë palët të jenë të kënaqura."
Tani për tani, drejtuesit e makinave dhe biçikletave në Nju Jork mund të shijojnë lehtësinë dhe çmimet e arsyeshme të tregut të objekteve me qira. Ndërsa industria rritet, teknologjia dhe shërbimet prej tyre ka të ngjarë të kenë përballë sfida të ndryshme.

XS
SM
MD
LG