Lidhje

Kosovë: Një i akuzuar për pjesëmarrje në luftën e Sirisë


Prokuroria e posaçme e Kosovës akuzon Fitim Lladrovcin 24 vjeçar për përfshirje në organizatat e shpallura terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”

Prokuroria e posaçme e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një shqiptari të Kosovës nën dyshimet për veprat penale: “organizimi ose pjesëmarrja në grup terrorist” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se Fitim Lladrovci me nofkën “Fita”, më datën 8 dhjetor të vitit 2013, kishte udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, prej nga me automjete të ndryshme ka shkuar në një qytet afër Aleppos, në Siri, ku më dashje u është bashkuar organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al – Nusra”. Atje ka qëndruar deri më 28 dhjetor 2013, kur është kthyer përsëri në Kosovë.

Më 15 maj të vitit 2014, ai sërish ka udhëtuar me aeroplan përmes Podgoricës për në Stamboll, ku pas tre ditësh ka arritur që të shkojë në qytetin Stereshin të Sirisë, ku me dashje i është bashkangjitur organizatës terroriste “ISIS”, ku ka qëndruar deri më 9 tetor të vitit n2014. Më 15 tetor të vitit të kaluar është kthyer në Kosovë.

Me këtë, thuhet në njoftim, ai ka kryer veprën penale: “organizimi ose pjesëmarrja në grup terrorist”. Po ashtu në njoftim thuhet se në shtëpinë e të akuzuarit janë gjetur edhe armë pa leje.

Fitim Lladrovci 24 vjeçar, është arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Luftërat në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet edhe për përfshirjen e qytetarëve të rajonit në zhvillimet e atjeshme. Askush nuk e di numrin e saktë, por shërbimet e zbulimit pohojnë se mund të ketë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se mbi 20 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Së shpejti parlamenti i Kosovës pritet të hedhë për miratim një ligj për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.

Krahas aspektit ligjor, autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin çdo përfshirje në luftërat ne lindjen e Mesme. Thirrjeve u është bashkuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës e pohon se luftërat në ato zona nuk kanë të bëjnë asgjë me shqiptarët e as me besimin islam.

XS
SM
MD
LG