Lidhje

Sekretari Kerry në Ukrainë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ishte sot në Ukrainë, ku zhvilloi takime me Presidentin Petro Poroshenko lidhur me situatën në zonat ku vazhdon beteja me separatistët pro-rusë. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e mbështetjes së ushtrisë ukrainase me armatime për të sprapsur kryengritësit në lindje të vendit.

Në një vorbull tentativash diplomatike, Sekretari Kerry mbërriti në Ukrainë, duke sjellë me vete angazhimin për 16.4 milionë dollarë në ndihma humanitare, por edhe premtimin se mund të ketë furnizim me armatime për forcat ukrainase. Ecejaket diplomatike zhvillohen në një kohë që Ukraina është përballur me një ofensivë të re në lindje nga separatistët pro-rusë.

Përpjekjet e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry përfshijnë edhe presion ndaj udhëheqësve të Ukrainës për të rifilluar dialogun politik, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për konfliktin.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka thënë se vendi i tij ka nevojë kritike për armatime në mënyrë që të sprapsë sulmet e separatistëve që kanë lënë mbi 5300 të vrarë.

Presidenti francez Francois Hollande ka thënë se ai dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojnë Ukrainën për të parashtruar një propozim për zgjidhjen e konfliktit:

“Do të paraqesim një propozim të ri për zgjidhjen e konfliktit. Propozimi do të bazohet në integritetin territorial të Ukrainës. Propozimin do ta diskutojmë sot me Presidentin Poroshenko si dhe nesër në Moskë me Presidentin Putin. Koha nuk pret. Franca dhe Gjermania nuk do të lënë gjë pa provuar për të ruajtur paqen”.

Ndërkaq ministrat e mbrojtjes së NATO-s u mblodhën në Bruksel për të diskutuar përgjigjen e organizatës ndaj kërcënimeve ushtarake të Rusisë. Aleanca synon të modernizojë Forcën e Reagimit të Shpejtë, për ta bërë më të aftë dhe të zhdërvjellët në dislokime. Ky është takimi i parë i ministrave të NATO-s që kur Presidenti Obama dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s u takuan në shtator dhe vendosën riorganizimin e kapaciteteve mbrojtëse të organizatës në përgjigje të aneksimit të Krimesë nga Rusia.

XS
SM
MD
LG