Lidhje

Diskutohet plani i paqes për Ukrainën


Udhëheqësit e Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë sot diskutuan në një bisedë telefonike mbi një plan paqeje francezo-gjerman për t'i dhënë fund luftimeve në Ukrainë. Bisedimet mes presidentit rus Vladimir Putin, presidentit të Ukrainës Petro Poroshenko, presidentit francez Francois Hollande dhe kancelares gjermane Angela Merkel pasuan një përpjekje diplomatike intensive për t'i dhënë fund kryengritjes pro-ruse në Ukrainën lindore. Presidenti urkainas Petro Poroshenko mendon që “një armëpushim i shpejtë dhe pakushte” do të arrihet të mërkuren mes qeverisë së tij dhe seperatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

TEXT: Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se katër udhëheqësit synojnë të takohen të mërkurën në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, për të vazhduar punën për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.

Një zyrtar i lartë të Departamentit të Shtetit tha se plani është i bazuar në marrëveshjen e shtatorit për armëpushim të nënshkruar në Minsk, por pritet të jetë më i detajuar.

Presidenti francez Francois Hollande ka thënë se plani është "një nga shanset e fundit" për t'i dhënë fund luftimeve në Ukrainë. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se nuk është e qartë nëse plani i paqes do të jetë i suksesshëm.

Sot në Konferencën e Sigurisë në Munih, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se negociatorët e planit francezo-gjerman janë "shumë larg gjetjes së një zgjidhjeje politike" për konfliktin në Ukrainë pas disa ditë debatesh "intensive".


"Për ne evropianët, ky konflikt nënkupton se siguria e përhershme mund të jetë së bashku me Rusinë e jo kundër saj, por kjo nuk mund të ketë një kuptim të njëanshëm. Moska duhet ta ketë të qartë se ekziston vetëm një e ardhme e mirë për Rusinë me Evropën, së bashku me Evropën e jo kundër Evropës. E kam thënë edhe vitin e kaluar se është detyrë e Moskës që të përcaktojë interesat e përbashkëta''.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha në Mynih se blloku po përpiqet të gjejë mënyra për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e Minskut.

"Në pjesën lindore të kontinentit evropian, konflikti në Ukrainë ka pasur një kosto të lartë jetësh njerëzore. Konflikti na ka treguar se parimet bazë të ligjit ndërkombëtar, respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial të një vendi, dhe mos ndryshimi i kufijve me forcë, mund të shkelen. Ky është një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm, jo vetëm për Europën, por edhe për pjesën tjetër të botës".

Në Munih, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry foli për njoftimet për një përçarje mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në lidhje me furnizimin e Ukrainës me armë. Ai tha se nuk ka përçarje mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë, por se të gjithë janë dakord se sfidat e konfliktit të Ukrainës do të zgjidhen përmes diplomacisë, e jo forcës ushtarake.

XS
SM
MD
LG