Lidhje

Hong Kong, shqetësime për censurë


Në Hong Kong, ku protestat e vitit të kaluar në mbështetje të demokracisë përfunduan në një ngërç me qeverinë e mbështetur nga Pekini, ka shenja të shtimit të censurës shtetërore. Një raport i ri tregon se policia e Hong Kongut ka kërkuar heqjen e më shumë publikimeve nga interneti gjatë katër muajve të fundit sesa gjatë katër viteve të fundit të marra së bashku. Këto të dhëna, së bashku me rregullat e reja lidhur me intervistat që japin anëtarët e Këshillit Ekzekutiv, kanë shtuar shqetësimet e aktivistëve për demokraci, të cilët thonë se tradita e lirisë së shprehjes e qytetit gradualisht po zhduket nën sundimin kinez. Darcy Christ është hulumtuese për transparencën në Univesitetin e Hong Kongut.

“Padyshim ka një rritje, po kryesisht në kërkesat për heqjen e publikimeve në internet. Kërkesat e përdoruesve janë një tjetër çështje e rendësishme kryesisht pas protestave në Hong Kong.”

Që nga muaji tetori, policia e Hong Kongut ka bërë 101 kërkesa ndaj faqeve të internetit dhe shërbimeve që ofrojnë internet që të heqin apo fshijnë disa publikime. Nëntë muajt e fundit të vitit të kaluar kishte 29 kërkesa dhe një total prej 65 kërkesash gjatë tre viteve të marra së bashku. Vitin e kaluar, policia po ashtu bëri më shumë se 4 mijë kërkesa për informacione lidhur me përdoruesit në internet, si emailet apo adresat e përdoruesit. Ligjvënësi dhe sipërmarrësi i internetit Charles Mok ka bërë thirrje për hetime më të gjera mbi rishikimin e politikave të ndryshme.

“Shqetësimi im është se polica po shton dhe vë në zbatim fuqinë e saj pavarësisht nëse zbaton apo jo ligjin. Ata kanë fuqinë e veprimit dhe duket se po u kërkojnë rrjeteve sociale që të heqin mesazhet e postuara atje.”

Muajin e kaluar, qendra amerikane PEN, një grup shkrimtarësh me qendër në Nju Jork, botoi një raport që paralajmëron se media më e hapur në Hong Kong po tregon shenja të shtimit të vet-censurës, dhe mbulimeve të kufizuara të ngjarjeve që lidhen me interesat e biznesit apo mbështetësit financiarë.

Lidhur me atë që aktivistët thonë se është një kërcënim tjetër për demokracinë, media lokale njoftoi se anëtarët e këshillit ekzekutiv të qytetit janë urdhëruar që të marrin leje nga qeveria para se të japin intervista.

Ky rregull është vendosur që nga tetori i kaluar, kur protestuesit pro-demokracisë fillian demostratat. Regina Ip, ligjvenëse dhe anëtare e Këshillit Ekzekutiv, thotë se rregullorja në fjalë nuk e ka ndaluar atë të flas hapur me shtypin.

“Për dikë si unë që pyetem çdo ditë nga shtypi, nuk është e mudur që të raportoj për të gjitha intervistat, dhe nuk jam përballur me probleme, apo kërkesa nga sekretariati i këshillit. Nuk kam ndonjë dijeni për përpjekje për të na ndaluar me ligj të flasim. Ndaj nuk mendoj se është shumë e nevojshme që t’i vihet shumë rendësi kësaj mase.”

Zonja Ip, mbështete e Partisë Populli i Ri i Pekinit, thotë se shqetësimet e aktivistëve pro-demokracisë rreth kufizimeve më të larta për lirinë e shprehjes në Hong Kong, janë të paqëna.

“Mendoj se po u kushtohet shumë vëmendje zhvillimeve në Hong Kong. Hong Kongu mbetet një shoqëri tejet e hapur dhe e lirë dhe kemi një masë të madhe lirie të të shprehurit. E dimë që në shoqëritë demokratike perëndimore, njerëzit nuk kanë liri absolute të shprehjes.”

Shtimi i heqjes së postimeve në internet nga policia e Hong Kongut dhe rregulli i ri lidhur me intervistat me median filloi vitin e kaluar ndërsa aktivistët pro-demorkacisë pushtuan rrugët e qytetit për rreth tre muaj. Protestuesit janë zotuar për veprime të mëtejshme të mosbindjes civile dhe premtojnë të vazhdojnë fushatën e tyre për zgjedhje të drejtpërdrejta të udhëheqësve të qytetit këtë pranverë.

XS
SM
MD
LG