Lidhje

Ambasadat amerikane masin ndotjen e ajrit


Sa e rëndë është ndotja e ajrit në qytetin tuaj? Ambasada amerikane së shpejti mund të ketë përgjigjen. Departamenti i Shtetit po planifikon të instalojë matës të cilësisë së ajrit në misionet diplomatike dhe të publikojë të dhënat e mbledhura. Synimi është t’u ofrohet informacion punonjësve të qeverisë amerikane jashtë vendit, si dhe për të ndihmuar popullsitë lokale për të marrë masa të i shërbejnë shëndetit. Sipas zyrtarëve, matja e ndotjes së ajrit mund t’i frymëzojë njerëzit për të bërë ndryshime.

Ambasadat në Indi, Vietnam dhe Mongoli do të jenë të parat në matjen dhe publikimin e të dhënave për cilësinë e ajrit në bazë të programit të ri. Shefja e Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, Gina McCarthy e bëri njoftimin gjatë një ceremonie të mërkurën.

“Ky informacion është shumë i rëndësishëm. Ka njerëz të moshuar që nuk duhet të dalin përjashta gjatë ditëve të caktuara. Ndotja e ajrit sjell probleme për frymëmarrjen, si dhe rrezik shëndeti për ata që kanë probleme zemre. Ata duhet të dinë cilësinë e ajrit përjashta.”

Ky informacion mungon në pjesën dërrmuese të botës, thotë profesori i inxhinierisë mjedisore Joshua Apte me Universitetin e Teksasit në Austin. Ai nuk është i përfshirë në këtë projekt. Por duke u hedhur një vështrim të dhënave mbi cilësinë e ajrit në një zonë, ai shprehet.

“Ka rreth 2 mijë matës në Kinë që janë të lidhur me internetin dhe rreth 30 në Indi për shtete me popullsi të ngjashme dhe probleme të ngjashme ndotjeje.”

Ai thotë se vetëm disa qytete në të gjithë Afrikën kanë aparatura matëse. Në ceremoninë e zhvilluar në Uashington, Sekretari i Shtetit John Kerry theksoi se informacioni për cilësinë e ajrit mund të jetë shumë i rëndësishëm. Ai tha se ambasada ameriakane në Pekin filloi publikimin e të dhënave mbi cilësinë e ajrit disa vite më parë. Rezultatet treguan se sa shpesh ajri ishte i dëmshëm për frymëmarrjen.

“Nuk ishte e lehtë. Kina nuk i mirëpriste njotimet tona por ne gjithsesi e bënim publikimin.”

Zyrtarët kinezë shprehën revoltim. Por zoti Kerry tha se njoftimet e bëra publike kanë çuar në një qasje të re.

“Marsin e kaluar, kryeministri Li Keqiang deklaroi luftë kundër ndotjes. Kryetari i bashkisë së Pekinit e cilësoi një situatë për jetë a vdekje. Dhe në 2014, Kongresi Kombëtar Popullor përmirësoi ligjin për mbrojtjen e mjedisit për herë të parë në 25 vjet.”

Gina McCarthy e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit theksoi se pak kohë më parë, ndotja e ajrit sundonte në disa qytete amerikane dhe se vendi ende përballet me këtë problem. Por ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë përvojën e tyre për të ndihmuar qytetet të pastrojnë ajrin.

Ndotja e ajrit ishte shkaktare e 3.7 milionë vdekjeve në shkallë botërore gjatë vitit 2012 sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG