Lidhje

Lajme financiare të prodhuara automatikisht


A do të zëvendësohen gazetarët nga robotët kur shkruajnë lajme financiare? Vështirë ta thuash, por shumica e lajmeve të prodhuara nga agjencia Associated Press që kanë të bëjnë me të ardhurat e korporatave, bëhen me anë të teknologjive të automatizuara.

Këta kompjuterë shkruajnë sot lajme për gazetat ose për internetin, një punë që dikur bëhej nga njerëzit.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka hyrë në partneritet me firmën Automated Insights për të shfrytëzuar algoritmet e kësaj kompanie, të cilat prodhojnë lajme financiare të caktuara brenda pak sekondave.

Philana Patterson, redaktore biznesi në agjencinë Associated Press, thotë se kompjuterat bëjnë sot punën më të madhe që dikur ishte rutinë për gazetarët.

Philana Patterson, Associated Press

"Në thelb, Automated Insights përdor kompjuterat për të nxjerrë të dhënat që më parë shkruheshin me dorë."

Ajo thotë se në këtë rast, gabimet më shumë bëhen nga njerëzit se sa nga programet kompjuterike.

Philana Patterson, Associated Press

"Edhe këtu kemi pjesën njerëzore, pra kur i marrim të dhënat nga firma Zacks Investment Research, dhe ka raste kur të dhënat futen në kompjuter gabim, por kjo është hera e vetme kur mund të ndodhin gabime."

Për shumë vite me radhë, gazetarët e agjencisë Associated Press harxhonin mjaft kohë për të bërë llogaritje apo për të rishkruar informacionin nga kompanitë që publikojnë raporte për bilancin e tremujorit.

Tani Associated Press nxjerr më shumë raporte financiare për gazetat dhe faqet e internetit që kanë nevojë për to.

Philana Patterson

"Kështu ne mund të shpenzojmë më tepër kohë për lajmet e fundit ose për gazetari investiguese, pra për shkrime që kërkojnë më tepër punë me detajin," thotë zonja Patterson.

Associated Press po e përdor këtë teknologji që nga korriku i kaluar dhe zonja Patterson thotë se përfitimet janë të qarta.

Jeff Jarvis, profesor i gazetarisë në City University të Nju Jorkut, thotë se kjo praktikë është një shembull se si mund të përdoret teknologjia në mënyrë efikase.

Jeff Jarvis, profesor i gazetarisë

"Sot gazetaria është shumë, shumë joefiçente. Mjafton të kërkosh në Google News dhe aty gjen 1400, 1500 variante të së njëjtës ngjarje, gjë që është një shpenzim i kotë. Disa gazeta marrin një lajm të agjencisë Associated Press, e rishkruajnë dhe pastaj e paraqesin si të vetin. Një shpenzim i kotë."

Në vend të kësaj, thotë ai, gazetarët mund të merren me ngjarjet më të rëndësishme, se sa të rishkruajnë gjëra që i kanë bërë të tjerët.

AP nuk e fsheh faktin se ajo i bën shkrimet e për bilancet financiare duke përdorur teknologjinë dhe kjo thuhet qysh në hyrje të shkrimit.

Kjo agjenci planifikon të prodhojë më shumë shkrime me këtë mënyrë, për shembull nga sporti.

Gjithnjë ka patur shqetësime se mos teknologjia po i lë njerëzit pa punë. Por a është kjo e justifikuar? Profesor Jarvis thotë se kjo varet:

"Nëse nga kjo humbim vende pune, këto i humbim sepse kanë qenë punë pa kuptim."

Automated Insights u ble nga firma private Vista Equity Partners më 12 shkurt.

Kjo kompani prodhon automatikisht lajme financiare edhe për klientët e kompanive të tilla si Yahoo dhe Comcast.

XS
SM
MD
LG