Lidhje

Vaksina e tuberkulozit për diabetikët


Një vaksinë për tuberkulozin është duke u testuar për trajtimin e diabetit të tipit 1, i cili shkaktohet nga një sulm në indet e vetë trupit dhe prek kryesisht moshat e reja.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jessica Berman, vaksina BCG është premtuese në zhdukjen e disa prej simptomave të diabetit dhe të sëmundjeve të tjera autoimune.

“Bacillus Calmette-Guerin” apo vaksina BCG është vaksina më e zakonshme e përdorur në botë, që u jepet të porsalindurve në vende ku tuberkulozi është ende problematik. Ajo rrit prodhimin e hormonit TNF, që vret bakterien e tuberkulozit.

Tek personat me diabetin e tipit 1, qelizat imunitare, që janë luftueset kryesore të infeksioneve, sulmojnë dhe shkatërrojnë pankreasin, që prodhon hormonin e insulinës. Pa hormonin e insulinës, që konverton ushqimin në energji, nivelet e sheqerit në gjak rriten në nivele të rrezikshme. Kjo mund të çojë në komplikacione të rënda të diabetit, përfshi humbjen e shikimit dhe mosfunksionimin e veshkave.

Por shkencëtarët kanë zbuluar se përveç vrasjes së bakteries së tuberkulozit, niveli i shtuar i hormonit TNF, si rezultat i vaksinës, shkatërron gjithashtu edhe qelizat imunitare që sulmojnë pankreasin.

Denise Faustman, drejtoreshë në Laboratorin Imunobiologjik në Spitalin e Përgjithshëm në Masacusets ka kryer disa eksperimente me vaksinën BCG dhe diabetin.

Në studimet e hershme të minjve me diabet dhe në një provë të vogël me njerëz, zonja Faustman thotë se vaksina e tuberkulozit pakësoi ndjeshëm numrin e qelizave të dëmshme imumitare dhe uli nivelin e sheqerit në gjak në nivele normale.

Vaksina rriti gjithashtu nivelin e insulinës tek ata që prodhonin shumë pak.

“Në mbarë botën ka qindar minj të gëzuar diabetic në fazën e fundit të sëmundjes që janë të kënaqur me vaksinën dhe janë tani të shëndetshëm. Tani tek njerëzit me diabet, ne po përpiqemi të përsërisim të njëjtën gjë…për të parë në se do të kemi të njëjtat efekte dramatike”, thotë zonja Faustman.

Hulumtuesit do të fillojnë një provë klinike 5 vjeçare me 150 njerëz që kanë qënë me diabet për 15 apo 20 vjet ose më shumë.

Ata kanë në plan t’u japin të rriturve nga mosha 18 deri në 60 dy injeksione, çdo katër javë, të vaksinës BCG dhe më pas një injeksion në vit për katër vjet për të parë nëse gjendja e tyre do të përmirësohet.

BCG ka treguar të jetë e efektshme në trajtimin e kancerit të fshikzës së urinës dhe zonja Faustman thekson se ka dhjetra studime që po kryehen në mbarë botën për të parë nëse vaksina mund të shërojë një numër sëmundjesh autoimune.

“Mendoj se në pesë vitet e ardhshme, do të shohim shumë të dhëna nga prova të ndryshme klinike për përgjigjet abnormale imune, nëse janë ato alergji apo lloje të tjera të sëmundjeve autoimune, si multi-skleroza apo diabeti i tipit 1, sesa mirë mund të veprojë vaksina në to”, thotë zonja Faustman.

Skleroza e shumëfishtë është sëmundja numër një mes të rinjve, ku sistemi imunitar sulmon qelizat e trurit.

Vaksina BCG është mjaft e përhapur kështu që ajo nuk është fitimprurëse për kompanitë farmaceutike, prandaj nuk pritet që ato të financojnë kërkimet për këtë studim.

Si rezultat, kërkimet e zonjës Faustman po financohen nga organizata bamirëse, përfshi Fondacionin Iacocca Foundation.

XS
SM
MD
LG