Lidhje

Aleanca për Shqipërinë Europiane mbylli fushatën zgjedhore


Aleanca për Shqipërinë Europiane mbylli sonte fushatën zgjedhore me një tubim në sheshin Nënë Tereza me pjesëmarrjen e partive aleate, ku përcollën mesazhet e fundit për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Në tribunë u ngjitën kryetarët e partive politike dhe kryeministri Edi Rama, të cilët bënë thirrje qytetarëve për të votuar kandidatin e majtë Erion Veliaj dhe partitë respektive për këshillat bashkiake.

Zoti Rama theksoi se “çdo votë që do të investohet për Erionin në Tiranë dhe për të gjithë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë do të jetë për ne një borxh që ne do ta shlyejmë me punë, punë dhe punë”.

Kryeministri Rama tha se Koalicioni për Shqipërinë Europiane zhvilloi një fushatë model dhe një proces të jashtëzakonshëm komunikimi dhe dëgjimi me qytetarët.

“Programi i Erionit është programi i duhur për Tiranën, ambicia e duhur për Tiranën, shpresa e duhur për Tiranën dhe do të ketë gjithë mbështetjen nga ana jonë, për t’u bërë realiteti i ri i Bashkisë së re të Tiranës” - tha zoti Rama.

Ai tha se shumica qeverisëse ende nuk ka bërë sa duhet për ata që e votuan në 2013. “Nuk janë pak ata, të cilët ende sot, nuk kanë asnjë anëtar të familjes në punë, dhe... mund të mos kenë pasur mundësi që të shtrojnë tavolinën e bukës për familjen e tyre. Janë ende shumë, ata të cilët vazhdojnë të mbeten në errësirë”.

Megjithatë zoti Rama theksoi se kandidatët e majtë janë njerëzit e duhur, në kohën dhe në vendin e duhur për të zgjeruar sukseset e qeverisjes.

“Ne besojmë që në 21 qershor vota ka një rëndësi që nuk e ka pasur asnjëherë më parë në zgjedhjet vendore. Më 21 qershor vuloset riorganizimi i shtetit modern shqiptar në qeverisjen vendore, i cili deri dje kishte 400 bashki dhe komuna, një territor i copëtuar me sisteme shërbimesh të copëtuara, me pamundësi të mëdha financiare dhe ekonomike të njësive shumë të vogla” - tha ai.

Kryeministri Rama tha se qeveria ka ende shumë për të bërë, duke ndërtuar shtetin modern. Nga ana tjetër, shumica mori vendimin historik për të rritur deri në 50% pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në këshillat vendore.

“Më 21 qershor mbaron historia e tmerrshme e ndarjes së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, në qytetarë në qytet dhe katundarë në fshat. Të gjithë bëhen qytetarë të barabartë, nga qendra e Tiranës deri në fshatin më të largët të Tiranës, që meritojnë shërbime të barabarta, dhe që do të marrin shërbime të barabarta dhe po kështu në të gjitha bashkitë e reja të Shqipërisë” - theksoi zoti Rama.

Ai tha se bashkitë e reja do të mbështesin familjet, që jetojnë në fshat, duke filluar nga uji në parcelë, deri tek shkollat e denja për fëmijët e tyre të njëjta me standardet e shkollave të qytetit.

Shumica u angazhua që t'u japë bashkive të reja fuqi të mëdha, për të cilat fshati ka nevojë në përballjen me çdo sfidë si infrastruktura e prodhimit, grumbullimit dhe të daljes në treg.

Kryeministri Rama tha se votuesit duhet të mbajnë parasysh familjen e tyre dhe nevojat e saj jashtë mureve të shtëpisë, në komunitet, në kopsht apo shkollë, në stacionin e autobusit. Ai ftoi qytetarët të votojnë kandidatët e aleancës për Shqipëri Europiane si mundësia më e mirë për qeverisjen vendore.

XS
SM
MD
LG