Lidhje

Zgjedhjet, Rama: Më të mirat, Basha: Hap pas


Dy drejtuesit kryesorë politikë komentuan në mënyra të ndryshme rezultatet e votimit të së dielës. E majta mori 44 Bashki, pret fitoren dhe në Malësinë e Madhe. E djathta mori 15

Pasi ka siguruar fitoren në pjesën dërrmuese të Bashkive të vendit, në të paktën 44 prej tyre dhe është në pritje dhe të Bashkisë së 45 në Malësinë e Madhe, kryeministri Edi Rama i cili udhëhoqi një koalicion me 37 parti, u shpreh mbrëmë për një përgjegjësi të re që shqiptarët, sipas tij, i ngarkuan Aleancës për Shqipërinë europiane që është në drejtimin e vendit. “Shqiptarët e konfirmuan fuqishëm aleancën tonë si drejtimin e duhur. Na kanë kërkuar të qeverisim shifrën më të lartë të njësive vendore, që i kanë ngarkuar ndonjëherë për detyrë një pale politike në zgjedhje të lira dhe të ndershme; 75% të njësive në vlerë aritmetike dhe afro 80% të popullsisë së këtij vendi, që banon në këto njësi”.

Disa minuta më parë nga selia e Partisë demokratike, në daljen e parë që pas nisjes së numërimit të votave të dielën në mbrëmje, edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha kishte folur jo me tone pesimiste, majde edhe numrin prej 15 bashkive të fituara e quajti të madh, Sipas tij, “pavarësisht prej hartës territoriale të manipuluar, kandidimit të personave me rekorde kriminale, pavarësisht përfshirjes së malavitës dhe bandave të lidhura me pushtetin të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë nën hundën dhe para syve të policies, pavarësisht prej presioneve të paligjshme ndaj administratës,dhe transferimeve të paligjshme të mijëra zgjedhësve dhe falsifikimit të kartave të identitetit, e pavarësisht prej blerjes masive të votes, Partia Demokratike me aleatët ka hedhur një hap të madh të ringritjes duke rritur mbështetjen popullore anembanë vendit, duke fituar një numër të madh bashkish disa prej tyre për herë të parë në dy dekada, dhe duke ngushtuar diferencën në të tjera bashki anembanë Shqipërisë, nga jugu në veri, nga lindja ne perëndim”. Madje sipas zotit Basha, koalicioni i majtë “ka pësuar një braktisje të madhe nga votuesit çka përbën refuzimin nga njëra anë të hartës territoriale Rama-Meta, dhe nga ana tjetër një mesazh të qartë e të prerë kundër keqqeverisjses, varfërisë, papunësisë, pasigurisë dhe padrejtësisë” .

Zoti Rama, nga ana e tij i cilësoi zgjedhjet e së dielës si “zgjedhjet më të qeta, më të lira dhe më të ndershme që kemi zhvilluar ndonjëherë”. Por edhe përë këtë, kryetari i opozitës ka një tjetër vlerësim. “Për fat të keq këto zgjedhje janë një kthim i dukshëm prapa për Shqipërinë, misoni i ODIHR, Këshillit i Europës, Ambasada e SHBA dhe përfaqësia e BE folën qartë për shqetësimet e mëdha”, deklaroi zoti Basha. Por kryeministri saktësoi se “do të vlerësojmë me shumë vëmendje, çdo gjetje të raportit të vëzhgimit dhe do të adresojmë me vullnet të plotë, çdo rekomandim të raportit përfundimtar të misionit të OSBE/ODIHR-it” duke këmbëngulur se “këto zgjedhje ishin padiskutim më të mirat, po ka vend për përmirësime të tjera dhe ne jemi të vendosur t’i bëjmë”.

Të dy drejtuesit kryesorë politikë i bënë thirrje komisionerëve dhe numëruesve që të kryejnë me morrektesë detyrën e tyre dhe në fazën e mbetur, atë të numërimit të votave për këshillat bashkiakë.

“Historia e zgjedhjeve për këshillat ka treguar që zgjedhja është shumë e larmishme, sepse vota për këshilltarët nuk është vetëm politike, por edhe lokale, nuk është vetëm partiake, por edhe individuale. Kjo karakteristikë e zgjedhjeve vendore duhet të mos cenohet në asnjë tryezë numërimi dhe çdo votë duhet të numërohet ndershmërisht për çdo parti, sado të vogël, që në zgjedhjet vendore merr vota edhe kur askush nuk ia di emrin, pasi ka ditur të gjejë kandidatët e duhur vendorë. Koha kur partive të vogla u merreshin votat në tavolinë nga numëruesit duhet t’i përkasë së shkuarës, që lamë pas në këtë 21 qershor. Kush mendon se mund ta bëjë pa u vënë re, gabimin fatal që ta sjellë në tryezën e tij të numërimit atë kohë duhet të mos e harrojë se ligji e ndëshkon penalisht”, u shpreh zoti Rama.

Ndërsa thirrja e kreut të opozitës ishte që “numëruesit dhe komisionerët të vazhdojnë një proces të rregullt e transparent të numërimit të votave pa deformim të vullnetit të tyre”, ndërsa “dyshja Rama-Meta të heqin dorë nga përpjekjet për të futur duart në këtë fazë të procesit”, nenvizoi zoti Basha.

XS
SM
MD
LG