Lidhje

Mësime mbi produktet e shëndetshme ushqimore


Ushqimet e përpunuara shpesh kushtojnë pak në dyqanet ushqimore. Por në shumicën e rasteve, ato përmbajnë përqindje të larta kripe, sheqeri dhe yndyre të saturuar, që konsiderohen ndër faktorët e obezitetit dhe çojnë në sëmundje kronike. Shumë familje me të ardhura të kufizuara i blejnë këto produkte pasi ato duken më të leverdisshme se zarzavatet dhe frutat e freskëta apo produkte të tjera. Organizata Cooking Matters, që lufton kundër urisë, po ndihmon familjet me të ardhura të ulëta të ndjekin një dietë më të shëndetshme përmes disa programeve falas.

Hapi i parë i një diete të shëndetshme fillon kur bëhet pazari. Nëse ke bërë plane se çfarë do të gatuash, di çfarë të blesh.

Lindsey Seegers është guida e vizitës në dyqanin e ushqimeve dhe u shpjegon grave cilat janë grupet kryesore ku kategorizohen ushqimet. Gratë pjesëmarrësve vijnë nga shtresa e varfër.

“Do të mësojmë se si të bëjmë pazare për 1 ditë, ndoshta edhe dy ditë gatim, me vetëm 10 dollarë për të ushqyer të gjithë familjen”.

Vizita fillon me shpjegimet për fruta-perimet, ku pjesëmarrëset mësojnë si të krahasojnë çmimet për kilogram.

Ato mësojnë metodat për një blerje të leverdisshme, si dhe format e një produkti ushqimor: kokrra gruri, miell, bukë.

Ajo u shpjegon se edhe frutat dhe perimet e ngrira kanë vlera ushqimore. Më pas Lindsey flet për vlerat e miellit të zi, që është i pasur me fibër.

Etiketa duhet lexuar me kujdes për të mësuar se çfarë po blen:

“Njerëzit mendojnë se etiketat janë shumë të ngatërruara. Megjithëse nganjëherë etiketa thotë se produkti përmban miell të zi, nga përqindja e përbërësve mëson se është në pjesën më të madhe me miell të bardhë. Për dikë me diabet ky element është shumë i rëndësishëm për shëndetin. Në këtë vizitë do të mësojmë se si të nxjerrim informacion nga etiketa”.

“Mendoj se vizita më ndihmoi të përqëndrohem në tre faktorët e rrezikshëm: sheqeri, kripa dhe yndyrat e saturuara”.

Tia Taylor tani është bërë blerëse më e zonja:

“Përdor shumë ushqime të ngrira. Prandaj u gëzova kur mësova nga Lindsey se edhe ushqimet e ngrira kanë vlera ushqimore”.

Kjo vizitë e ndihmoi Tina Pawlik të ndryshojë dietën:

“Haja shumë makarona, por mësova se ka edhe produkte të tjera që janë po aq të leverdisshme në çmim, sa makaronat. Tani e di që nuk është e pamundur të blesh ushqime të shëndetshme me një buxhet të vogël”.

Tani që kanë mësuar disa teknika për të zgjedhur produktet më të mira kur bëjnë pazaret, gratë pjesëmarrëse do të dinë të bëjnë zgjedhje të shëndetshme.

XS
SM
MD
LG