Lidhje

Lufta kundër dhunës në Baltimore


Nga të gjitha lagjet në qytet, West Baltimore është ndikuar në mënyrë disproporcionale nga dhuna këtë verë.

Qoshet e saj janë të rrethuar nga blloqe të tërë ndërtesash bosh, shpesh të mbështjella në shirit të verdhë të policisë. Kjo lagje ka patur 43 vrasje këtë vit - shumë më tepër se çdo lagje tjetër në qytet.

Në prill, zyrtarët arrestuan Freddie Gray, një 25-vjeçar afrikano-amerikan. Ai pësoi një dëmtim të rëndë të shtyllës kurrizore në fugonin e policisë dhe vdiq shtatë ditë më vonë. Vdekja e tij shkaktoi protesta që sollën dhunë dhe më pas niveli i vrasjeve filloi të rritej.

Komisioneri i policisë humbi punën dhe 6 policë po ndiqen penalisht në lidhje me vdekjen e Gray-it, por dhuna vazhdoi.

Derek Bowden, një aktivist në komunitetin e Baltimorës qëndron jashtë një kompleksi shtëpish të braktisura në qytet. Ai vajton për qytetin.

"Ishte shumë mirë. Mund të ishim të varfër, por të gjithë hanim, dhe të gjithë ndihmonim njëri tjetrin. Tani gjithçka është shkatërruar. Njerëzit janë zhdukur. Nuk e kuptoj arsyen."

Sfidat me të cilat përballet qyteti kanë sjell dy përgjigje të vështira.

Një lavanteri vetëm disa blloqe larg nga vendi ku u arrestua Freddie Gray është transformuar në një zonë të sigurtë për fëmijët e lagjes. Ka vetëm tre rregulla në këtë zone: nënshkruaj, pastro ato që lë pas, dhe lexo për 15 min para se të luash me lodrat.

Ericka Alston e filloi këtë qendër në lagjen e varfër të dergjur nga krimi në përgjigje të dhunës që pasoi vdekjen e Freddie Gray.

"Shumë pranë dikush u qëllua për vdekje. Ne i dëgjuam të shtënat dhe këtu jemi në një komunitet ku fëmijët dine si të fshihen dhe të mbrohen. Kjo është arsyeja pse ishte i nevojshëm një vend si ky. Ne i përqafojmë, ju themi gjëra pozitive. Ju themi sa të mirë janë."

Muajin e kaluar, Departamenti i Policisë hapi Dhomën e Luftës, një përpjekje fizike dhe metaforike për të luftuar shtimin e vrasjeve. Disa drejtues të komunitetit si Alston vënë në pikëpyetje gjuhën e zgjedhur nga policia.

Dhoma e Luftës është e mbushur me monitorë që tregojnë pamje televizive nga mbarë qyteti.

Komandanti i operacionit Sean Miller koordinon veprime me disa agjenci federale si FBI-në, Administratën për Kontrollin e Drogës dhe Shërbimin Sekret.

Në total Miller thotë se ka më shumë se 12 organizata të përfshira ku janë të caktuar rreth 200 njerëz.

Komandanti Sean Miller, i del në mbrojtje përdorimit të fjalës luftë.

"Shpallja e luftës ndaj personave të këqinj në emër të qytetarëve të mirë është ajo që duhet të marrim në konsideratë. Çdo gjë është e monitoruar. Ajo që merrte javë apo muaj tani zgjidhet brenda disa ditësh: formulimi i një plani, vendosja e policisë për të sulmuar."

Munir Bahar, drejton marshimin e përvitshëm të 300 Burrave kundër dhunës në Baltimorë. Ata po mobilizohen në terren për të përçuar mesazhin kundër dhunës.Aktivizmi në komunitetet si ky po ndihmon disa të rinj të mësojnë se ka rrugë të tjera.

"Ne po mësojmë të bëjmë atë që duhet dhe jo të shesin drogë dhe të këqijat që vijnë prej saj”, thotë një adoleshent.

Bahar thotë se qyteti ka nevojë për një ndryshim kulturor.

“Respekti për të tjerët. Respekti për vete. Kur e kupton këtë kur je i ri nuk shkon të vrasësh njerëz, as veten."

Aktivistët e komunitetit po shkojnë nëpër shkolla për të folur me nxënësit për ta larguar dhunën në përpjekje për të ndryshuar qytetin.

XS
SM
MD
LG