Lidhje

Kongresi përballet me afate fiskale kritike


Kongresi amerikan përballet me disa afate fiskale kritike në një kohë ndryshmesh dhe pasigurish në Kapitol. Ligjvënësit që po kthehen nga një pushim një javor ende nuk e dinë se cili do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve, pas dorëheqjes nga ky post të republikanit John Boehner.

Ka kaluar gati një muaj nga njoftimi për dorëheqje i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner.

"Këtë mëngjes kam informuar kolegët e mi se do të jap dorëheqjen nga posti i kryetarit dhe në fund të tetorit do të largohem edhe nga Kongresi".

Ende nuk dihet se kush do ta zerë vendin e tij. Kongresmeni Paul Ryan, ish-kandidat i republikanëve për nënpresident në vitin 2012, vazhdon t’i rezistojë presionit nga udhëheqësit e lartë të partisë për të garuar për këtë post. Mos zgjedhja e një udhëheqësi mund ta detyrojë zotin Boehner të shtyjë largimin nga posti dhe të drejtojë partinë e përçarë republikane ndërkohë që po afrohen dy afate të rëndësishme fiskale.

Javën e kaluar, Departamenti i Thesarit informoi zotin Boehner se qeverisë amerikane rrezikon t’i mbarojnë fondet më 3 nëntor, nëse nuk zgjerohet kufiri i federal i huamarrjes.

"Kjo do t’i vinte Shtetet e Bashkuara në rrezik të vërtetë; për herë të parë në historinë tonë ne mund të mos jemi në gjendje të paguajmë detyrimet financiare".

Shumë republikanë, veçanërisht ata që janë në garën presidenciale, nuk mbështesin rritjen e tavanit të borxhit pa një reformim të sistemit financiar të vendit që do të përmirësonte situatën fiskale të Amerikës.

"Ne kemi një borxh 19 trilionë dollarësh. Ky është problem sepse ne kemi një ekonomi prej vetëm 18 trilionë dollarësh".

Presidenti Barack Obama ka përjashtuar negociatat mbi tavanin e borxhit, duke thënë se është detyrë e Kongresit për të shmangur mospagimin e borxhit.

"Rritja e tavanit të borxhit nuk autorizon shpenzime të reja. Ajo thjesht lejon Departamentin e Thesarit të paguajë për shpenzimet që Kongresi tashmë vetë i ka miratuar".

Përveç afatit për rritjen e tavanit të borxhit, Kongresi ka afat deri më 11 dhjetor për të miratuar ligjin për financimin e qeverisë amerikane ose do të rrezikojë një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale. Diskutimet mes Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqësve të Kongresit thuhet se janë duke përparuar në drejtim të arritjes së një marrëveshje më afatgjate, por deri në zgjedhjen e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, nuk është e qartë se kush do të mbikqyrë mbylljen e procesit të arritjes së marrëveshjes dhe hedhjen e saj në votim.

XS
SM
MD
LG