Lidhje

Kosovë: Përfundon pa rezultat takimi i organizuar nga presidentja


Në Kosovë partitë politike nuk arritën marrëveshje për rrugën e zgjidhjes së krizës politike. Në takimin e ftuar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga morën pjesë partitë në pushtet ndërsa nga opozita vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa është përcjellë nga afër edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zbogar.

Ngërçi politik në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se vendimet kundër kushtetuese të qeverisë së Kosovës e kanë vështirësuar qeverisjen e mëtutjeshme.

“Rezultat i kësaj, kam kërkuar që menjëherë të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza. Po ashtu kam kërkuar që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Me ardhjen në takim, unë e kam shpreh vullnetin tonë të mirë edhe për të ndihmuar për të dalë nga kriza aktuale. Ju kam dhënë edhe propozimin dhe shpresoj që këta që ishin prezentë do të reflektojnë. Opozita mbetet e bashkuar dhe shihemi më 17 shkurt. Aleanca është e vendosur me e ndihmu kundërshtimin e mëtejshëm të degradimit të shtetit”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se kanë kërkuar nga përfaqësuesi i opozitës që të hiqet dorë nga dhuna dhe të ulen bashkë për të çuar përpara sfidat e Kosovës.

“Unë jam i bindur në legjitimitetin dhe legalitetin e plotë të institucioneve të Kosovës në përgjegjësinë që ato kanë, me votën që e kanë marrë nga qytetarët dhe ne do të vazhdojmë të punojmë dhe po ashtu i bëjmë ftesë opozitës që ajo të vijë në parlament dhe që përmes debatit parlamentar ne të shtojmë demokracinë dhe të punojmë për të mirë të vendit”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi tha se zoti Haradinaj nuk kishte shqetësime për marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Por, kishte shqetësim tjetër, shqetësimin e marrjes direkt të pushtetit apo agjendës elektorale dhe natyrisht se agjenda elektorale përcaktohet në afatet e rregullta kushtetuese dhe ligjore duke respektuar gjithmonë legjitimitetin qytetarë”, tha ai.

Në takimin e ftuar nga presidentja e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, nuk morën pjesë pasi që sipas tyre do të kishte kuptim vetëm nëse do të diskutohej për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita e cila ka paralajmëruar protesta për datën 17 shkurt, që shënon edhe tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë në dritën e vlerësimeve të gjykatës kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në muajin dhjetor Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës në fazat që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve mbi asociacionin.

Situata aktuale mund të sfidojë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, që sipas kushtetutës duhet të ndodhë deri më shtatë mars, meqë presidenti zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit të presidenti aktual.

XS
SM
MD
LG