Lidhje

Grupe refugjatesh drejt veriut grek 


Autoritetet greke zhvendosën 162 refugjatë nga porti i Pireut drejt Konicës, një qytet rreth 60 kilometra larg Pikës së Kakavijës në kufirin jugor shqiptar.

Burimet zyrtare greke pohuan se refugjatët ishin kryesisht gra dhe fëmijë dhe do të strehohen në qendrën e trajtimit të fëmijëve të këtij qyteti.

Kryetari i Konicës, Andrea Papaspiro tha për mediat greke se qendra ishte përgatitur një ditë më parë për pritjen e refugjatëve.

Më herët në qytetin e Janinës struktura të Organizatës së Kryqit të Kuq kryen seanca trajnimesh për ndihmën shëndetësore në raste të emergjencave civile.

Zhvillimet në kufijtë fqinjë me Greqinë po ndiqen me interesim nga pala shqiptare. Krahas masave në kufi autoritetet shqiptare po kordinojnë hapat me strukturat policore të vendeve fqinje për t`u ballafaquar me një fluks të mundshëm refugjatësh.

Në zonat veriore greke autoritetet greke kanë paralajmëruar edhe vendosje të grupeve të refugjatëve në qendra të tjera që kanë mundësi strehimi në zonën e Janinës. Autoritetet greke po ndërhyjnë 24 orët e fundit për të lehtësuar situatën në Portin e Pireut. Ky Port është kthyer përkohësisht në kamp për refugjatët.

Sipas të dhënave greke rreth 3,500 emigrantë jetojnë në tenda në portin kryesor turistik dhe në terminalin e udhëtarëve të portit. Shumë prej refugjatëve kanë mbërritur me rrugë detare nga portet e tjera greke.

XS
SM
MD
LG