Lidhje

Dy atentate në zona qendrore të Tiranës


Një 35 vjeçar, ish efektiv policie mbeti i vrarë pranë ish-Bllokut. Një biznesmen ndërtimi, 56 vjeçar, u plagos në një atentat tjetër me armë, në Komunën e Parisit. Shpërthim edhe në një kantier ndërtimi

Dy atentate tronditën mbrëmë Tiranën, në dy nga zonat më të populluara prej saj. Një 35 vjecar, Ajet Zeqaj, u vra me pistoletë me silenciator, pranë zonës së ish bllokut. Sipas informacioneve të para Zeqaj, një ish efektiv policie, kishte pak javë që ishte kthyer nga Franca. Ai sapo kishte dalë nga një bilardo, i shoqëruar me një shokun e tij, kur është qëlluar, nga një person i maskuar. Zeqaj ka humbur jetën në vend, ndërkohë që janë të paqarta motivet e ngjarjes.

Pak më parë, një tjetër atentat ishte rregjistruar në zonën e Komunës së Parisit. Objektiv i sulmit me automatik, mësohet të ketë qenë një biznesmen ndërtimi, Lulzim Kazani. Ai është qëlluar ndërsa ka parkuar makinën dhe po futej në hyrjen e pallatit të tij. Kazani u dërgua menjëherë në spitalin Ushtarak të Tiranës. Ai është jashtë rrezikut për jetën dhe ka vetëm dy plagë, një në këmbë dhe një në bark. Sipas informacioneve të policisë, dyshimet e para bien mbi një konflikt të mundshëm për cështje pronësie.

Problemet dhe konfliktet me pronën, dyshohet të kenë qenë shkak edhe një shpërthimi në një kantier ndërtimi po në Tiranë, pak pas orës 19.00 të mbrëmjes së djeshme. Sasia e eksplozivit ka dëmtuar vetëm një eskavator.

XS
SM
MD
LG