Lidhje

Reforma në Drejtësi sërish pezull


Debati për rastin e mandatit të deputetit të PS-së Rakip Suli. Basha: Nuk mund të negociohet për ndryshime kushtetuese, kur e majta nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Në Shqipëri, reforma për Drejtësinë ka mbetur sërish pezull, pasi opozita ndërpreu dialgun e nisur me shumicën në Komisionin e posaçëm parlamentar. E djathta këmbëngul që shumica të tërhiqet nga vendimi saj i javës së shkuar për të hedhur poshtë kërkesën për t’i dërguar për interpretim Gjykatës Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetit socialist Rakip Suli. Ky i fundit është vënë në akuzë për shkak se i biri ka lidhur një kontratë qeraje me ndërmarrjen shtetërore të shpërndarjes së energjisë, Osshe.

Sipas opozitës, veprim i së majtës është një “atentat kushtetues”. Ajo i referohet interpretimit që Gjykata i bëri rastit të deputetit Koco Kokëdhima dhe nenit të kushtetutës për konfliktin e interesit. Sipas vendimit të Gjykatës, mjafton kërkesa e 14 deputetëve që çështja t’i kalojë asaj për gjykimin përfundimtar. Por sipas shumicës, Gjykata ka interpretuar rastin e konfliktit të drejtpërdrejtë të deputetit, dhe jo të anëtarëve të familjes së tij.

Një ditë më parë opozita u përpoq të bllokonte punimet e parlamentit në shenjë proteste. Vendimin e saj për ta lidhur këtë çështje me dialogun për Reformën në Drejtësi, kryetari demokrat Lulzim Basha nuk e konsideron si një kusht, pasi sipas tij shumica e ka detyrim të pashmangshëm zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Çfarë po negociojmë?! Ndryshimin e Kushtetutës?! Kalimin e normave të tjera kushtetuese?! Po zbatimin e normave aktuale?! Pra skenari është fare i qartë. Nuk ka kushte shtesë për reformën në drejtësi. Asnjë kusht shtesë për reformën në drejtësi. Por ti kërkosh opozitës dhe Partisë Demokratike të negociojnë me terroristët kushtetues të armatosur me armët drejtuar jo vetëm ndaj opozitës por ndaj gjithë qytetarëve dhe rendit kushtetues në vend, është e tepërt dhe e papranueshme”, deklaroi sot zoti Basha, i cili tha se nuk ka asnjë arsye që opozita t’i drejtohet Gjykatës për të kundërshtuar vendimin e parlamentit.

Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Edi Rama ironizoi deklaratat e udhëheqësit të opozitës. “PD që kërcen si "prifti nga belaja". E di mirë ky popull sa e do reformën në drejtësi, por e di edhe ti që do s'do, do bësh sikur do! Dhe jo vetëm do bësh sikur do, po do bësh edhe sikur po na bind edhe neve! Bëj ç'të duash e thuaj ç'të duash, por nxito se duhet të votojmë!”, shkruan zoti Rama.

Më vonë edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh për gazetarët se “logjika e kushteve të pakapërcyeshme, kushteve të cilat patjetër duhet të flitet për to dhe pa tejkaluar ato nuk mund të shkohet përpara, nuk janë kushtet e dialogut”.

XS
SM
MD
LG