Lidhje

Korea e Veriut ndërpret komunikimet diplomatike me SHBA


Koreja e Veriut thotë se po mbyll një nga linjat e vetme të komunikimit me Shtetet e Bashkuara në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e Uashingtonit ndaj udhëheqësit Kim Jong Un për shkelje të të drejtave të njeriut.


Pheniani bëri të ditur sot se i ka thënë Uashingtonit që do t’i japë fund të gjitha kontakteve diplomatike. Deri tani ato kryheshin përmes zyrave të OKB-së në Nju Jork.

Javën e kaluar, SHBA vendosi sanksione ndaj udhëheqësit Kim dhe disa zyrtarëve të tjerë të Koresë së Veriut, përveç sanksioneve që janë vendosur ndaj programit të armëve bërthamore të Phenianit.

Po sot, Koreja e Veriut kërcënoi se do të marrë "veprime fizike" pasi Uashingtoni dhe Seuli njoftuan planet për vendosjen e një sistemi të sofistikuar të mbrojtjes nga raketat në Korenë e Jugut.

Pheniani pati kërcënuar para disa ditësh kur Uashingtoni dhe Seuli shpallën planet për të përdorur sistemin anti-raketor THAAD në gadishullin Korean pas një serie provash me raketa balistike dhe provash bërthamore nga Pheniani. Vend-ndodhja dhe koha e vendosjes së sistemit kundër raketave nuk janë njoftuar.

Agjencia zyrtare e lajmeve koreano veriore, KCNA, shkruante se "është vullneti i palëkundur i ushtrisë së Veriut për të kryer një sulm të pamëshirshëm hakmarrës dhe ta kthejë Jugun në një det zjarri dhe grumbull hiri në momentin që merr një urdhër për të kryer atë."

Pheniani tha se "reagimi fizik" do të zhvillohet në momentin kur koha dhe vendndodhja e sistemit THAAD të jenë konfirmuar.

Kina, Rusia, si dhe Koreja e Veriut kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj vendosjes së sistemit THAAD dhe i kanë kërkuar Uashingtonit dhe Seulit për të hequr dorë nga këto plane.

Presidenti i Koresë së Jugut Park Guen-hye tha sot se sistemi THAAD ka për qëllim mbrojtjen ndaj Koresë së Veriut dhe nuk ka si objektiv asnjë vend tjetër.

Prova e fundit me raketa balistike nga Pheniani u zhvillua javën e kaluar, kur një raketë u lëshua nga një nëndetëse në brigjet e qytetit port Sinpo. Thuhet se raketa shpërtheu 10 kilometra në ajër, njësoj me një provë të dështuar në prill. Zyrtarët ushtarakë perëndimorë, megjithatë, thonë se aftësia e Phenianit po përmirësohet me çdo provë që kryen.

Nisja e raketës nga nëndetësja erdhi një ditë pasi Uashingtoni dhe Seul njoftuan planet për të vendosur sistemin THAAD.

Kina, si aleati kryesor i Koresë së Veriut, i ka bërë thirrje qeverisë së presidentit Kim të kthehet në bisedimet ndërkombëtare dhe të çmontojë programin e saj bërthamor në këmbim të ndihmës ekonomike dhe garancive të sigurisë.

XS
SM
MD
LG