Lidhje

Gjyqtarja Majlinda Andrea dhe i shoqi largohen nga Shqipëria pak orë para arrestimit për korrupsion


Gjykata e Lartë në Tiranë pezulloi nga detyra, me kërkesë të prokurorisë së përgjithshme, gjyqtaren e saj, Majlinda Andrea, e dyshuar për korrupsion pasiv.

Gjykata e Lartë vendosi “arrest me burg” për bashkëshortin e saj, Odhise Andrea, dhe për 3 shtetas të tjerë, të dyshuar për korrupsion pasiv të gjyqtarëve në bashkëpunim dhe korrupsionit aktiv të gjyqtarëve në bashkëpunim.

Prokuroria njoftoi se bashkëshortët Andrea janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre dhe janë shpallur në kërkim.

Policia e Shtetit arrestoi të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.

Ata dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea.

Ai është këshilltar në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare.

Hetimet i nisi prokuroria për krime të rënda, por pasi në veprime të dyshimta korruptive doli e përfshirë edhe një gjyqtare e Gjykatës së Lartë, hetimet i vijoi Prokuroria e Përgjithshme.

I dyshuari Ilia Çabiri nga Saranda, si përfaqësues i një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.

Sipas njoftimit të prokurorisë, deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë.

I dyshuari Çabiri kontaktoi me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea, bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, njëra prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.

I dyshuari Petraq Dashi, sipas hetuesve, nënshkroi një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, për huazimin e 50 mijë eurove, të cilat Dashi ia dorëzoi bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Andrea, për të dhënë vendimin në favor të Çabirit dhe Linos.

Një ditë pas dhënies së parave trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, dha vendimin në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

XS
SM
MD
LG