Lidhje

SHBA: Zgjedhjet dhe sulmet kibernetike


Ekspertë amerikanë të sigurisë kibernetike thonë se dyshohet se hakerat e huaj, të cilët kohët e fundit sulmuan sistemet kompjuterike të partisë demokrate mund të bëjnë diçka edhe më të rëndë në të ardhmen.

Ekspertët i thanë programit Hashtag të Zërit të Amerikës se sistemet elektronike amerikane ka të ngjarë të jenë mes objektivave të ardhshme të piraterisë kompjuterike.

Publikimi nga Wikileaks muajin e kaluar të emaileve të komitetit kombëtar demokrat shkaktoi shqetësime për partinë, duke detyruar ligjvënësen Debbie Wasserman Schultz të linte postin e saj si drejtuese e Kuvendit të Demokratëve.

Analisti i kibernetikës Richard Forno thotë se hakerat e huaj mund të kenë arritur qëllimet politike dhe tani synojnë t’i shkallëzojnë sulmet e tyre drejt sismtemit elektronik të votimit në zgjedhjet e nëntorit.

Një studim i vitit 2015 i bërë nga Universiteti i New Yorkut zbuloi se 43 nga 50 shtetet amerikane kanë pajisje të vjetëruara votimi.

Një prej eksperteve, Toni Gidwani, drejtoreshë e kërkimeve në ThreatConnect për mbrojtjen kibernetike. thotë se ekziston mundësia e sulmeve ndaj sistemeve të votimit.

"Ne pamë në Ukrainë në vitin 2014, kur tre ditë para zgjedhjeve, komisioni zgjedhor ukrainas u ndesh me probleme pasi zbuloi se hakerët kishin hyrë për të manipuluar rezultatin ku një kandidat ultranacionalist, i cili në realitet mori më pak se 1 për qind të votave, do të kishte fituar. Pra, nuk është fantashkencë", thotë ekspertja.

Yong-Gon Chon, një tjetër ekspert kibernetik, thotë se çdo organizatë që kërkon të mbrojë veten nga hakerat duhet ta përdorë me efektivitet të gjithë personelin e vet.

"Mbrojtja kibernetike nuk është më vetëm përgjegjësi e një zyrtari të lartë sigurie për të mbrojtur infrastrukturën e një organizate - të gjithë kanë një rol për të luajtur", thotë zoti Chon, i cili rekomandon se kur merrni një email të dyshimtë, para se ta hapni, duhet të vendosni nëse vlen ose jo për biznesin tuaj.

XS
SM
MD
LG