Lidhje

Presidenti Obama mbi partneritetin me Rusinë në Siri


Presidenti Barak Obama ka hedhur dyshime ekstreme nëse SHBA mund të ketë besim tek Rusia si partnere për t'i dhënë fund luftës civile siriane.

"Nuk jam i bindur se mund t’u besojmë rusëve dhe Vladimir Putinit, prandaj na duhet të provojmë nëse mund t’i japim fund konfliktit aktual", i tha president Obama gazetarëve në Pentagon të enjten pas takimit me anëtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar luftën kundër grupit Shteti islamik.

Presidenti tha se Rusia mund të mos jetë në gjendje të ndihmojë për t’i dhënë fund dhunës "ose për shkak se nuk do, ose sepse nuk ka ndikim të mjaftueshëm mbi presidentit sirian Bashar al- Assad”.

"Pikërisht këtë po vëmë në provë", tha president Obama.

Qeveria siriane dhe aleatët e saj rusë po luftojnë rebelët për kontrollin e një zone rreth Aleppos, në ato që vëzhguesit i përshkruajnë si disa prej luftimeve më të ashpra në muaj. Luftimet shpërthyen më shumë se dy muaj më parë, dhe Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut njofton se të paktën 6,000 njerëz janë vrarë ose plagosur në 80 ditët e fundit.

Presidenti tha se administrata e tij e di mirë se Rusia ka qenë e gatshme për të mbështetur një "regjim vrasës dhe një individ si Assadi që ka shkatërruar vendin e tij vetëm për të qëndruar në pushtet." President Obama tha se çdo ndërprerje e konfliktit në Siri duhet të përfshijë fundin e bombardime ajrore dhe metodave të tjera të përdorura nga regjimi sirian për vrasjen e civilëve.

Për gati dy vjet, SHBA ka mbështetur forcat lokale në Siri dhe Irakun fqinj ndërsa ata luftojnë për të sprapsur terroristët e Shtetit Islamik. SHBA nisi sulmet kundër ISIS në Afganistan në janar dhe filloi të mbështesë forcat lokale pro-qeveritare në Libi këtë javë, të cilat luftojnë për të rimarrë qytetin Sirte i konrolluar nga ISIS.

"Ata janë pranë arritjes së qëllimit dhe ne jemi duke ndihmuar," u tha gazetarëve këtë jave zëdhënësi i Pentagonit Jeff Davis.

Kërcënimi ndaj SHBA?

Presidenti mbajti një mbledhje një orëshe me udhëheqësit ushtarakë në Pentagon në lidhje me luftën kundër Shtetit Islamik. Më vonë ai u tha gazetarëve se ISIS në Irak dhe Siri është dobësuar, por pohoi se grupi ekstremist ende përbën kërcënim për Shtetet e Bashkuara ndërsa përdor taktikat të reja për të rekrutuar anëtarë, për stërvitjen e tyre dhe për të inkurajuar sulme nga persona që veprojnë në formë të pavarur.

Ndërsa këto sulme mund të rezultojë në më pak vrasje, presidenti Obama tha ISIS ende mund të krijojë "atë lloj frike dhe shqetësimi që i jep më shumë emër organizatës”.


Operacioni ajror në Libi

Një zyrtar i Pentagonit tha se operacioni ajror në Libi, i quajtur Odyssey Lightning, ndoshta do të zgjasë javë, dhe jo muaj.

Forcat që përkrahin qeverinë libiane e mbështetur nga OKB-ja kanë kaluar disa muaj brenda territorit të ISIS përgjatë brigjeve të Gjirit të Sidrës nga Tripoli në afërsi të Bengazit. Zëdhënësi Davis tha se në sajë të luftëtarëve vendorë, ISIS është shpartalluar dhe tani kontrollon vetëm qendrën e qytetit Sirte.

Sipas vlerësimeve të Pentagonit, numri i luftëtarëve të ISIS është pakësuar duke arritur nga disa mijëra në më pak se 1 mijë.

Pas rënies së Moamar Gadafi në vitin 2011, ekstremistët filluan ta shihnin Libinë si strehë të sigurt jashtë qendrave të tyre fillestare në Irak dhe Siri.

XS
SM
MD
LG