Lidhje

Kohë të vështira për industrinë e minierave


Qymyrguri ka qenë një burim kryesor energjie dhe të ardhurash për miliona amerikanë. Por, prodhimi i qymyrit në SHBA ka rënë në nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit. Disa kompani të mëdha janë mbyllur rishtazi ndërsa administrata e presidentit Obama nuk ka dhënë më liçenca të reja për kërkime minerare. Këto ndryshime kanë ndikuar tek jetët e dhjetëra mijëra njerëzve në rajonin minerar të maleve Apalaçian.

Shtajnman, një fshat i vogël i shtetit Virxhinia, e trashëgoi emrin nga vëllezërit Shtajnman të cilët kishin aty një minierë qymyrguri rreth një shekull më parë. Banorja Tammy Mondrage rrjedh nga një familje minatorësh.

“Të gjithë në familjen tonë, si dhe të gjithë njerëzit e tjerë që njoh, i patën prindërit minatorë. Të gjithë ne ishim fëmijë minatorësh. Një komunitet i tërë i vartur nga minierat.”

Por tani, me rënien eindustrisë minerare, ajo po mendon të largohet.

“Po bisedonim sot se sa keq është bërë situata. Situata është përkeqësuar në atë pikë saqë për herë të parë po diskutojmë rreth largimit nga ky komunitet. Ndoshta nuk do kemi zgjidhje tjetër.”

Sipas statistikave qeveritare, prodhimi i qymyrit në SHBA ra me 10% vetëm gjatë periudhës 2014 – 2015.Në Apalaçia, niveli i papunësisë është ndër më të lartët. Komisioni Rajonal Apalaçian synon të krijojë mundësi të reja ekonomike. Earl Gohl drejton këtë organizatë.

“Gjatë 100 viteve të fundit, shumë prej këtyre komuniteteve kanë patur vetëm një burim punësimi dhe të ardhurash. Me rënien e madhe të kërkesës për qymyr, tashmë duhet të hedhim hapin e rëndësishëm që ta kalojmë këtë tranzicion.”

Në mes të maleve, qyteza Klivlend dikur ishte e begatë prej qymyrit. Në vitet ’50-të, qyteza kishte katër supermarkete ushqimesh, banka, një hotel, një stacion treni dhe rreth 400 banorë. Aktualisht, për 130 banorët e mbetur, nuk ka më as edhe një shkollë. David Sutherland është kryetar i bashkisë së qytezës.

“Kishim një shkollë të mesme që u mbyll. Pastaj u mbyll edhe 8-vjeçarja. Para tre vitesh u mbyll edhe shkollafillore. Aktualisht nuk kemi më asnjë shkollë.”

Komunitetet përreth kanë filluar të mendojnë se si të ndikojnë në ndryshimin e ekonomisë së tyre. Qyteza Heisi po transformohet për të tërhequr biznese të reja. Larry Yates është kryebashkiak i këtij qyteti në Virxhinia.

“Kemi përmirësuar fasadat e godinave. Kemi vënë dyer dhe dritare të reja, ndriçim dhe sinjalistikë të re . Kemi rinovuar trotuaret dhe infrastrukturën.”

Në qarkun Tazuell të Virxhinias, po ndërtohet një shteg për mjete sportive për të tërhequr amatorët në kërkim të aventurave pranë një ish miniere të vjetër. Chris Sturgill është mbikëqyrës i shtegut Spearhead.

“Nëpërmjet infrastrukturës së re u japim mundësinë bizneseve të reja që të zgjerohen. Nevojiten biznese të reja që nxitin zhvillimin që nga restorantet apo turizmi malor.”

24-vjeçari Zachary, i biri i Tammy Mondrage, po studion për një karrierë të re në turizëm, pasi humbi vendin e punës në kompaninë e qymyrit.

“Jam i apasionuar pas gjuetisë, peshkimit, dhe në përgjithësi natyrës. Mendoj se është një mundësi e madhe për të filluar karrierën në këtë drejtim.”

Mbarë rajoni po shpreson se përmirësimi i ekonomisë në përgjithësi do të nxisë edhe rritjen e turizmit.

XS
SM
MD
LG