Lidhje

Maqedoni: Prokurorja e posaçme has kritika në Parlament


Prokurorja e posaçme në Maqedoni, Katica Janeva ka paraqitur raportin e punës së kësaj prokurorie para komisionit parlamentar për sistem politik, ku po has në kritika të shumta të një pjese të ligjvënësve.
Në një seancë pyetje – përgjigjesh, kryeprokurorja e posaçme është pyetur për një sërë rastesh që po i trajton kjo prokurori e që kanë të bëjnë jo vetëm me mashtrime zgjedhore dhe bisedat e përgjuara telefonike, por edhe raste të tjera, që nuk dihet nëse do të jenë në kompetencë të Prokurorisë Speciale.
Zonja Janeva nuk ka dashur të japë hollësi në lidhje me skandalin e përgjimeve, prej nga kanë dalë një sërë rastesh që po procedohen nga ekipi i saj. Ajo kërkon zgjatjen e afatit për tetëmbëdhjetë muaj të veprimtarisë së Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë, ligjvënës të partisë VMRO-DPMNE në pushtet kanë vënë në pikëpyetje aftësitë profesionale të prokurores speciale për ta drejtuar këtë organ të lartë, pas një interviste që televizioni publik i Maqedonisë e transmetoi të paedituar me të, ku kryeprokurorja nuk u paraqit më së miri. Oratoria dhe elokuenca e saj u bënë objekt i përqeshjeve nga ligjvënësit e partisë në pushtet por dhe e medias proqeveritare.
VMRO-DPMNE vlerëson se Katica Janeva dhe Prokuroria e Posaçme janë bërë “organ i opozitës” dhe se nuk po vepron në mënyrë të balancuar dhe të paanshme.
Deri tani, janë kryesisht ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së që po hetohen nga Prokuroria Speciale, të dyshuar për manipulime zgjedhore, për korrupsion e trysni ndaj bizneseve.
XS
SM
MD
LG