Lidhje

Importi i mbetjeve, opozita kërkon referendum


Vendimi u mor në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Një dokument i qeverisë i muajit gusht, kundërshton propozimin për import të mbetjeve

Në Shqipëri opozita vendosi të kërkojë në parlament organizimin e një referendum për ndalimin e plotë të importit të mbetjeve. Kryetari i Partisë demokartike bëri publik vendimin e marrë në grupin parlamentar të partisë së tij. “Në këtë referendum PD vjen me një propozim të qartë, zero import plehrash. Së pari, sepse rrethanat e sotme diktojnë një qëndrim absolut. Dhe sot ky është një vendim plotësisht i justifikuar edhe sa i përket vizionit tonë për zhvillimin e ekonomisë, ku turizmi, bujqësia, agrobiznesi janë ndër shtyllat më kryesore të zhvillimit ekonomik. Edhe në qoftë se nuk do ta paragjykonim Edi Ramën si ryshfetmarrësin e mafies ndërkombëtare të plehrave për të sjellë helmet në Shqipëri, si do t’i besonim këtij njeriu që nuk kontrollon dot ndërtimin e pistave ajrore për drogën, mos futjen e helmeve me pretekstin e këtij ligji?! Dhe së treti, për sa i përket industrisë ricikluese që po e përdorin mish për top. Industria ricikluese ka një punë të madhe për të bërë në Shqipëri para se t’i drejtohet mbetjeve të Europës, plehrave të Europës dhe me pretekstin e tyre, shqiptarët të hanë helmet e Europës”, u shpreh zoti Basha.

Kërkesa për referendum duhet të paraqitet nga 28 deputetë por duhet të miratohet nga dy të tretat e parlamentit. Me këtë lëvizje opozita synon të vendosë qeverinë sërish në qendër të kritikave dhe në një pozitë edhe më të vështirë nga ajo e seancës së shkuar kur miratoi ndryshimet ligjore. Nëse për to u përpoq të ofronte argumenta kryesisht financiar dhe ekonomik, refuzimi që për këtë çështje të pyeten qytetarët rrezikon të jetë me pasoja politike për shumicën, 9 muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Nga ana e saj opozita nuk po heziton më të konsiderojë të gabuar vendimin që u mor nga qeveria e saj e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha për importin e mbetjeve: “Unë dal totalisht kundër. Kundër ligjit që u miratua në vitin 2011”, deklaroi zoti Basha.

Por ndërsa qeveria këmbëngul në argumentat në favor të qëndrimit të ri të saj, një dokument zyrtar, të firmosur në emër të kryeministrit nga zëvendësi i tij Niko Peleshi, dërguar parlamentit në formën e opinionit për propozimin për lejimin e imporit të mbetjeve duket se e nxjerr zbuluar atë vetë. Në dokumentin që i përket filllimit të gushtit, theksohet se “mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386 milion e 728 mijë e 650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83 % e mbetjeve është në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”. Po ashtu qeveria shikon probleme edhe financiare në rast të lejimit të importit: “Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e ekspertëve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin milion kg mbetje të importuara shtesë”, shkruan qeveria.

XS
SM
MD
LG